Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Përmet, ku ka mbetur i plagosur drejtuesi i një automjeti. Ngjarja ka ndodhur në rrugën kombëtare Përmet-Çarçovë, pranë fshatit Badlonjë, dhe është shkaktuar nga një ‘Mercedes-Benz’ që drejtohej nga një 79-vjeçar.
Automjeti ka dalë nga rruga, ka bërë dy rrokullisje dhe ka përfunduar anash rrugës. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë hetime për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Drejtuesi i mjetit, i cili dyshohet të ketë humbur kontrollin e automjetit, është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Aktualisht, hetimet për aksidentin janë në vijim.