Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, e dyshuar për nxitje të kryerjes së vrasjes, si dhe ish-kunati i saj, Driton Sylaj.
Këto arrestime janë pjesë e hetimeve që po zhvillohen për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
Për vrasjen dyshohet Albert Sylaj, ish-kunati i viktimës, i cili ishte arrestuar më 28 tetor në Deçan, pas dy ditësh në kërkim.
Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, por u vra
Vrasja e Arlinda Zekajt shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht për shkak të faktit se ajo kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet përkatëse.
Vetëm tri ditë para se t’i merrej jeta, 49-vjeçarja i kishte dërguar një letër Prokurorisë në Pejë, përmes së cilës kërkonte ndërhyrje urgjente ndaj zyrtarëve dhe institucioneve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur përgjegjësitë për garantimin e sigurisë së saj.
Ajo ishte përfshirë në një proces gjyqësor për dhunë në familje dhe kishte kërkuar zbatimin e vendimit të gjykatës, i cili ia mundësonte rikthimin në shtëpinë e përbashkët.
Edhe ditën kur ndodhi vrasja, Arlinda kishte raportuar probleme me ish-bashkëshortin e saj. Ky i fundit ishte ndaluar nga Policia për 48 orë, ndërsa viktima ishte përcjellë drejt shtëpisë nga një patrullë policore.
Por, sipas Prokurorisë, vetëm pak minuta pas këtij shoqërimi, ajo dyshohet se u sulmua për vdekje.
Ngjarja ngriti shqetësime të mëdha lidhur me mënyrën se si institucionet kishin trajtuar kërkesat e saj të vazhdueshme për mbrojtje.
Pas vrasjes, 11 zyrtarë policorë u pezulluan nga detyra, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës konstatoi mangësi në zbatimin dhe trajtimin e urdhrave mbrojtës.
Hetimet për rastin janë ende në vazhdim, ndërsa pritet të zbardhen të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë që lidhen me vrasjen e Arlinda Zekajt.







