Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Shëtitësit”, duke zbardhur gjashtë raste vjedhjesh në Elbasan dhe Tiranë, për të cilat dyshohen dy të rinj, 39 dhe 18 vjeç.
Sipas policisë, dy shtetasit, me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjes, dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, duke marrë shuma parash dhe produkte të ndryshme në dyqane, lokale dhe restorante.
Nga hetimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, përmes këqyrjes së pamjeve filmike dhe administrimit të provave ligjore, u dokumentuan tre vjedhje të ndodhura gjatë muajit nëntor në Elbasan.
Konkretisht, ngjarjet kanë ndodhur më 5 nëntor në një lokal në fshatin Vidhas, më 20 nëntor në një tabakino në bulevardin “Aqif Pasha” dhe më 22 nëntor në një dyqan në lagjen “28 Nëntori”.
Ndërkohë, nga vijimi i hetimeve rezultoi se 18-vjeçari dyshohet se ka kryer edhe tre vjedhje të tjera në Tiranë. Bëhet fjalë për dy subjekte në rrugën e Kosovarëve, më 14 tetor, si dhe një dyqan në rrugën “Liman Kaba”, më 17 nëntor.
Gjatë kontrollit fizik, 18-vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, një pistoletë sportive, një kaçavidë dhe një levë, mjete që dyshohet se përdoreshin për hapjen me forcë të dyerve të subjekteve.
Gjithashtu, ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 në Tiranë, si dhe nga Komisariati i Policisë Korçë, për vjedhje të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.







