Një 60-vjeçar nga Elbasani është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vendosur lëndë plasëse në derën e banesës së një 47-vjeçareje. Ngjarja ka ndodhur më 14 nëntor, në rrugën “Sadik Petrela” në kryeqytet.
Pas hetimeve të zhvilluara në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmimi”, policia ka identifikuar si autor të dyshuar shtetasin me inicialet A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan.
Në momentin e shpërthimit, dyshohet se në automjetin e tij ndodheshin edhe tri vajza, njëra prej të cilave e mitur. Për këtë arsye, policia ka proceduar penalisht tri të rejat, të identifikuara me inicialet A. Ç., 21 vjeçe, A. L., 18 vjeçe dhe një 17-vjeçare.
Sipas hetimeve, të tria janë komshie të 60-vjeçarit dhe dyshohet se kanë qenë të pranishme në automjet në momentin e ngjarjes, por nuk kanë njoftuar autoritetet për krimin. Për këtë arsye, ato po hetohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në kuadër të hetimeve, uniformat blu kanë sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur ditën e shpërthimit, si dhe katër telefona celularë.
Ndërkohë, policia vijon kontrollet dhe kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e 60-vjeçarit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.







