Një sulm me dronë rusë ndaj një pallati banimi në qytetin Dymer, në rajonin e Kievit, ka shkaktuar një bilanc tragjik me të paktën 11 viktima dhe gjashtë persona të plagosur. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën mes rrënojave, në përpjekje për të gjetur persona të tjerë që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Sulmi ndodhi gjatë natës së 22 nëntorit, kur një dron goditi një ndërtesë pesëkatëshe në distriktin Vyshhorod. Përplasja shkaktoi zjarr dhe shembjen e një pjese të pallatit, duke dëmtuar disa kate të tij.
Mes personave të shpëtuar janë një djalë shtatëvjeçar dhe një grua 79-vjeçare. I mituri u nxor i gjallë nga rrënojat pas rreth 14 orësh, ndërsa e moshuara arriti të mbijetonte për 22 orë nën rrënoja, përpara se ekipet e shpëtimit ta nxirrnin dhe ta transportonin në spital.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen me vështirësi për shkak të alarmit të vazhdueshëm ajror dhe rrezikut të sulmeve të tjera. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës ka bërë të ditur se kërcënimi nga dronët rusë i ka detyruar ekipet të ndërpresin disa herë punën për të garantuar sigurinë e tyre.
Autoritetet ukrainase kanë identifikuar mes viktimave edhe një grua 48-vjeçare dhe një të ri 18-vjeçar.
Sulmet nuk janë kufizuar vetëm në Dymer. Në qytetin Vyshneve, një dron goditi një supermarket, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tetë të tjerëve. Ndërsa në Bila Tserkva, një tjetër goditje la të vdekur një person dhe plagosi katër të tjerë.
Për shkak të numrit të viktimave, autoritetet kanë shpallur 23 nëntorin ditë zie në rajonin e Kievit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dënuar sulmet, duke i cilësuar ato si një akt të vazhdueshëm terrori ndaj popullsisë civile. Ndërkohë, gjatë muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj Kievit dhe zonave përreth, duke goditur edhe infrastrukturën jetike të vendit.
Vetëm më 20 nëntor, një tjetër sulm i përmasave të mëdha ndaj kryeqytetit ukrainas shkaktoi dëme në infrastrukturën kritike dhe disa ura. Nga ai sulm humbën jetën të paktën nëntë persona dhe u plagosën 30 të tjerë.
Përballë intensifikimit të bombardimeve, Zelensky ka përsëritur thirrjet ndaj aleatëve perëndimorë për përshpejtimin e furnizimit me sistemet e mbrojtjes ajrore, veçanërisht me raketat amerikane PAC-2 dhe PAC-3.







