Gjykata e Tiranës ka vendosur të mbyllë çështjen penale ndaj avokatit Ulian Barjami, i cili u arrestua pas një përplasjeje verbale me prokurorin Gjergji Ceka në sallën e gjyqit në Elbasan. Pas shqyrtimit të rastit, gjykata ka arritur në përfundimin se veprimet e avokatit nuk përbëjnë vepër penale.
Barjami ishte vënë nën hetim për kanosje dhe kundërshtim të prokurorit, pas një debati të ndodhur gjatë një seance gjyqësore, ku ai përfaqësonte si mbrojtës ligjor Maksim Suçin. Avokati kishte kundërshtuar provat e paraqitura nga organi i akuzës, duke pretenduar se ato përmbanin të dhëna të pasakta.
Përplasja në sallën e gjyqit
Ngjarja ndodhi më 17 tetor 2025, gjatë seancës për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit dhe caktimin e masave të sigurisë për 14 persona të ndaluar në një lokal në Elbasan.
Në një regjistrim audio të publikuar nga seanca, dëgjohet Barjami teksa kundërshton provat e prokurorisë dhe paralajmëron se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj prokurorit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore.
“Do merrem personalisht me prokurorin edhe me oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim”, dëgjohet të thotë avokati.
Nga ana tjetër, prokurori Gjergji Ceka reagon duke deklaruar se avokati do të arrestohej, ndërsa gjyqtarja ndërhyn për të ndalur debatin dhe i kërkon Barjamit të përqendrohet te mbrojtja e klientit të tij.
Ajo e paralajmëron se kërcënimet dhe ky lloj komunikimi nuk lejohen në sallën e gjyqit, duke i bërë të ditur se në rast përsëritjeje mund ta përjashtojë nga seanca dhe të caktojë një avokat kryesisht.
Pas incidentit, Barjami u ndalua me iniciativë të Oficerit të Policisë Gjyqësore, por tashmë Gjykata e Tiranës ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj tij.








