Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në të gjithë vendin, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Gjatë aksionit të koduar “Vjeshta 2026”, janë identifikuar 155 shtetase shqiptare në lokale me muzikë live.
Operacioni u zhvillua në periudhën 3-17 nëntor, nën drejtimin e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Gjatë kontrolleve në 40 lokale me muzikë live, autoritetet identifikuan 285 persona, prej të cilëve 223 femra dhe 62 meshkuj. Në mesin e tyre, 117 ishin shtetas të Kosovës dhe 168 të huaj. Përveç 155 shtetaseve shqiptare, u evidentuan edhe nëntë shtetase serbe, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Për shkelje të ndryshme administrative, inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë urdhëruan mbylljen e tetë lokaleve.
Kontrollet u shtrinë edhe në 62 qendra masazhi, ku u identifikuan 120 persona, përfshirë 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetas të Kosovës dhe 47 të huaj. Në këtë kategori u evidentuan 19 shtetase shqiptare, 27 tajlandeze dhe një serbe.
Edhe në këto ambiente pati masa ndëshkuese, pasi shtatë qendra masazhi u mbyllën për shkelje administrative. Kështu, numri i përgjithshëm i bizneseve të mbyllura gjatë operacionit shkoi në 15.
Gjatë aksionit u zbuluan gjithashtu katër raste të kundërvajtjes së “Marrjes me prostitucion”, të lidhura me aktivitetin e eskortës. Për këto raste u arrestuan tetë persona, katër meshkuj dhe katër femra.
Mes të arrestuarve ishin tre shtetas të Kosovës dhe një shqiptar, si dhe një shtetase braziliane dhe tri kolumbiane. Për personat e përfshirë u ndërmorën procedurat përkatëse ligjore, ndërsa ndaj shtetaseve të huaja u vendosën masa dëbimi dhe ndalim hyrjeje në Kosovë, për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Policia bëri të ditur se gjatë kontrolleve, grave të identifikuara në lokalet e natës, qendrat e masazhit dhe aktivitetin e eskortës iu krijua mundësia të deklaronin nëse ishin viktima të shfrytëzimit apo trafikimit të qenieve njerëzore.
Megjithatë, autoritetet konfirmuan se gjatë operacionit nuk u evidentua asnjë rast i trafikimit të qenieve njerëzore.







