Marrëveshja për armëpushim në Gaza rrezikon të dështojë, ndërsa Izraeli dhe Hamasi akuzohen se nuk po përmbushin detyrimet e marra përsipër për ndalimin e luftimeve. Paralajmërimi është bërë nga Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur zbatimin e planit të paqes.
Sipas një raporti prej 12 faqesh, të siguruar nga agjencia Reuters, situata në terren mbetet larg objektivave të marrëveshjes. Dokumenti, i dyti që i është dorëzuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, evidenton vazhdimin e sulmeve nga të dyja palët, pavarësisht ndalimit të përplasjeve në shkallë të gjerë.
Plani i paqes parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe nisjen e procesit të rindërtimit të territorit palestinez. Hamasi kishte shprehur gatishmërinë për të dorëzuar armët dhe për t’ia kaluar administrimin e Gazës një autoriteti civil të përkohshëm. Nga ana tjetër, Izraeli ka bërë të qartë se nuk do të tërheqë trupat pa u çmontuar plotësisht organizata palestineze.
Në raport ngrihen shqetësime edhe për mungesën e progresit në krijimin e një force policore palestineze, e cila do të garantonte rendin dhe sigurinë në territor. Një tjetër problem mbeten kufizimet izraelite për hyrjen e furnizimeve dhe pajisjeve të nevojshme, duke vështirësuar edhe masat për përballimin e përmbytjeve.
Ndërkohë, gjendja humanitare në Gaza vijon të jetë alarmante. Mbi dy milionë palestinezë jetojnë në kushte të vështira, shumica në tenda apo ndërtesa të dëmtuara nga lufta. Situata është përkeqësuar edhe më tej nga reshjet e dendura, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në kampet ku strehohen personat e zhvendosur.
Raporti paralajmëron se pa përmbushjen e angazhimeve nga të dyja palët dhe pa hapa konkretë drejt zbatimit të planit, armëpushimi rrezikon të mos mbijetojë, duke thelluar më tej krizën në Gaza.







