Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka kërkuar konfiskimin e pasurive me vlerë 9.1 milionë euro, të cilat dyshohet se lidhen me një grup kriminal të trafikut të drogës. Kërkesa është depozituar më 17 nëntor 2026 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Sipas SPAK, hetimet pasurore janë kryer në funksion të procedimit penal nr. 36 të vitit 2019, që lidhet me veprat penale të trafikimit të narkotikëve, kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Nga verifikimet dhe ekspertimet kontabël e vlerësuese janë identifikuar pasuri të paluajtshme, automjete dhe kuota në shoqëri tregtare, të regjistruara në emër të personave nën hetim, familjarëve të tyre dhe personave të lidhur me ta.
Sipas organit të akuzës, këto pasuri nuk justifikohen me burime të ligjshme të të ardhurave. Vlera e tyre arrin në rreth 9.1 milionë euro.
Në listën e pasurive për të cilat SPAK ka kërkuar konfiskim përfshihen 24 pasuri të paluajtshme, mes tyre apartamente, njësi tregtare, truall dhe ndërtesa, 2 vende parkimi në Vlorë, 3 automjete luksoze të markave BMW dhe Mercedes-Benz. Kuota në katër shoqëri tregtare dhe në një aktivitet të regjistruar si person fizik.







