SHBA rihap hapësirën ajrore pas kaosit në aeroportet amerikane, ku një defekt në sistemet e komunikimit dhe radarëve të kontrollit të trafikut ajror shkaktoi pezullimin e fluturimeve në të gjithë vendin.
Si pasojerreth 10 mijë fluturime ishin anuluar dhe rreth 1.5 milone pasagjerë u prekën nga anulimet.
Sipas analistëve të aviacionit, ndërprerja mund të shkaktojë probleme në oraret e linjave ajrore edhe për disa ditë.
Sekretari amerikan i Transportit shpjegoi se problemet nisën kur sistemet e radarëve dhe të komunikimit në qendrat e kontrollit të trafikut ajror pësuan paqëndrueshmëri.
“Nuk humbëm të gjitha telekomunikacionet. Nuk humbëm të gjitha radarët. Çelësat dhe ruterët tanë u mbingarkuan me të dhëna dhe u prishën, dhe nuk duhet të them se u prishën. Filluan të na jepnin mospërputhje në të dhënat e tyre. Dhe për shkak të kësaj, e mbyllëm sistemin. Nuk kemi identifikuar njerëz që kanë hyrë në sistem. Duket se kjo ka qenë e nxitur mekanikisht. Megjithatë, ne ende po kërkojmë, kështu që nuk do ta përjashtojmë këtë mundësi.”
Megjithëse defekti fillestar është zgjidhur dhe fluturimet konsiderohen të sigurta, incidenti ka rikthyer vëmendjen te gjendja e amortizuar e sistemit amerikan të kontrollit të trafikut ajror, i cili përballet prej kohësh me teknologji të vjetëruar dhe mungesë të mijëra kontrollorëve.
Sekretari i Transportit fajësoi Kongresin për mungesën e financimit të një sistemi të ri dhe kërkoi 50 miliardë dollarë për modernizimin e infrastrukturës së aviacionit.







