Një telefon celular i markës iPhone është zbuluar në ambientet e përbashkëta të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër, gjatë një kontrolli të zhvilluar këtë të premte.
Rasti është bërë publik nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), e cila bën me dije se verifikimet janë kryer më 13 nëntor 2026, në bashkëpunim me grupin e sigurisë së institucionit.
Gjatë kontrollit, në ambientet e përbashkëta të burgut u konstatua një aparat celular iPhone, i cili klasifikohet si send i ndaluar në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Pas zbulimit të telefonit, Agjencia e Mbikëqyrjes ka nisur veprimet e nevojshme procedurale. Në përfundim të tyre, materialet e mbledhura do t’i përcillen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Hetimet do të vijojnë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, e parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.







