Katër ushtarë kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në provincën Malatya, në lindje të Turqisë, pasditen e së enjtes.
Sipas mediave vendase, helikopteri u rrëzua rreth orës 18:45 në zonën e Samanköy. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Menjëherë pas rrëzimit, në vendngjarje shpërtheu një zjarr, i cili u vu nën kontroll nga ekipet zjarrfikëse.
Në zonë mbërritën me urgjencë ambulancat, zjarrfikësit, ekipet e Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), si dhe forcat e policisë dhe ushtrisë.
Ministria Turke e Mbrojtjes Kombëtare konfirmoi ngjarjen përmes një deklarate zyrtare, duke bërë të ditur se helikopteri i tipit S-70 ishte rrëzuar për shkaqe ende të panjohura.
Në deklaratë, ministria shprehu keqardhjen për humbjen e jetës së katër ushtarakëve që ndodheshin në bord, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e aksidentit.







