Ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim për tre akuza, ka përsëritur pretendimet e tij se hetimi i SPAK-ut ndaj tij është ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Gjatë deklarimeve të tij, Meta e cilësoi Yuri Kim si “armike të përbetuar të Shqipërisë” dhe pretendoi se ajo vepronte në interes të Serbisë. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila është gjithashtu e përfshirë në të njëjtën dosje penale, duke mbështetur versionin e Metës.
Ish-presidenti solli në vëmendje edhe një tjetër pretendim, që lidhet me periudhën kur mbante postin e kreut të shtetit. Sipas tij, pesë përfaqësues të ambasadave të huaja në Shqipëri e kishin kërcënuar që të mos dekretonte Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por të zgjidhte Arta Vorpsin, e cila në atë kohë ishte pjesë e konfliktit për këtë emërim.
Edhe Kryemadhi konfirmoi pretendimet e ish-bashkëshortit, duke deklaruar se ndaj Metës ishte ushtruar presion përmes përfaqësuesve diplomatikë. Ajo tha se kishte informuar edhe Departamentin Amerikan të Shtetit për këtë çështje.
Ndërkohë, gjatë seancës, Monika Kryemadhi përfundoi parashtrimet e saj, të cilat i kishte nisur që në muajin korrik. Ajo kundërshtoi provat që lidhen me lobimin përmes kompanisë G.S.I.S. dhe kërkoi kryerjen e një ekspertimi financiar të dokumentacionit.
Nga ana tjetër, Ilir Meta kërkoi që në fashikujt e çështjes të përfshihen si prova të reja edhe vendimi për shpalljen fajtor dhe dënimin e Kastriot Ismailajt. Ai kërkoi gjithashtu marrjen e dëshmive të tjera nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Në përfundim të seancës, mbrojtja përsëriti qëndrimin se ndaj Metës nuk ekzistojnë prova për kryerjen e veprave penale. Përfaqësuesi i tij, Tedi Blushi, e cilësoi procesin si politik dhe të motivuar nga kryeministri Edi Rama, duke pretenduar se mbajtja e ish-presidentit në paraburgim është pjesë e një persekutimi politik.
Seanca e radhës është caktuar më 26 nëntor. Në këtë seancë pritet që SPAK të paraqesë kundërshtimet ndaj pretendimeve të mbrojtjes. Gjykata do të vendosë gjithashtu për vijimin e procesit, nëse do të procedohet fillimisht me administrimin e provave shkresore apo me thirrjen dhe dëgjimin e dëshmitarëve.







