Pavarësisht se në qershor të vitit 2026 iu hoq licenca pas shkeljeve të rënda të konstatuara gjatë përplasjes së dhunshme me protestuesit në Zvërnec, një kompani private sigurie ka arritur të përfitojë një kontratë të konsiderueshme nga fondet publike.
Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan njoftoi pak ditë më parë lidhjen e kontratës me bashkimin e dy operatorëve, “Juer Security” dhe një tjetër kompani private sigurie, për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, personelit dhe pronave të OSSH-së dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal në këtë qytet.
Procedura e hapur në gusht 2026 kishte një fond limit prej 184.735.036 lekësh të reja, ose rreth 1.99 milionë euro. Një nga kriteret kryesore për pjesëmarrje ishte pajisja me licencën 1.3 A, dokumenti zyrtar që autorizon kompanitë private të ofrojnë shërbime të ruajtjes fizike të objekteve dhe individëve. Pikëpyetjet lidhen pikërisht me faktin se vetëm dy muaj më parë, Policia e Shtetit kishte hequr licencën e njërës prej kompanive pjesëmarrëse, pas ngjarjeve të rënda të regjistruara gjatë protestave në bregdet.
Ngjarja që çoi në këtë penalizim ndodhi më 30 maj 2026, kur qytetarë të Vlorës protestuan kundër projektit turistik në Zvërnec, ku përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Në zonën e rrethuar me tela u vendosën punonjës të kompanive private të sigurisë, të cilët u përballën me qytetarët që kundërshtonin kufizimin e aksesit në bregdet dhe pretendonin pronësinë mbi tokën. Përplasja arriti kulmin kur qytetari Eduard Subashi u tërhoq me forcë dhe u zvarrit për më shumë se 100 metra, episod që shkaktoi reagime të shumta.
Pas heqjes së licencës, kompania e kundërshtoi vendimin në rrugë gjyqësore dhe siguroi një masë sigurimi padie, përmes së cilës u pezulluan efektet e vendimit për heqjen e lejes. Kjo i mundësoi të merrte pjesë në procedurën e tenderit të hapur në gusht 2026.
Tashmë, kompania është pjesë e bashkimit të operatorëve që do të marrë përsipër ruajtjen fizike të aseteve dhe pronave të OSSH-së në Elbasan. Një kontratë me vlerë afro 2 milionë euro, e cila ngre pikëpyetje mbi kriteret e kualifikimit dhe mënyrën se si institucionet publike verifikojnë operatorët që përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit.







