Një sulm me armë zjarri në sheshin qendror të Krakovit, në Poloni, ka marrë përmasa edhe më të rënda pas zbulimit të tre trupave të pajetë në banesën e autorit të dyshuar. Ngjarja, e ndodhur pasditen e së shtunës, la fillimisht gjashtë persona të vrarë dhe 16 të plagosur, ndërsa policia arrestoi autorin 25-vjeçar pas një shkëmbimi zjarri.
Tre viktimat e gjetura në banesën e tij janë dy gra dhe një burrë. Sipas kryeministrit polak, Donald Tusk, ata dyshohet se janë pjesëtarë të familjes së të riut, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë rrethanat dhe lidhjen e mundshme mes dy ngjarjeve. Me këtë zbulim, numri i viktimave të lidhura me ngjarjen shkon në nëntë.
Autori hyri me automjet në sheshin Rynek Glowny dhe hapi zjarr ndaj njerëzve që ndodheshin në zonë, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe turistëve. Të shtënat dëmtuan edhe një tramvaj dhe vitrinat e disa bizneseve pranë sheshit. Policia ndërhyri dhe qëlloi drejt 25-vjeçarit, i cili mbeti i plagosur dhe u arrestua.
Hetimet po përqendrohen edhe te motivet e sulmit. Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, deklaroi se i dyshuari mund të jetë ndikuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe pikëpamjet ultranacionaliste, por këto dyshime ende nuk janë konfirmuar. Autoritetet besojnë se ai ka vepruar i vetëm dhe deri tani nuk kanë bërë publike prova që e lidhin me ndonjë organizatë ekstremiste.
Kryeministri Donald Tusk e ka cilësuar ngjarjen si akt terrorist, ndërsa Polonia ka shpallur ditë zie në nderim të viktimave.







