Partia Demokratike Evropiane (PDE) ka reaguar ndaj rasteve të raportuara të dhunës, kërcënimeve dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri, duke drejtuar kritika edhe ndaj kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë publike, sekretari i përgjithshëm i PDE-së, Sandro Gozi, ka kërkuar hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme për incidentet e denoncuara, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë.
Sipas tij me rastet e dhunës dhe incidentet e publikuara së fundmi, Shqipëria rrezikon të largohet nga rruga e BE.
“Rrëfimet për gazetarët që janë goditur, shtyrë, spërkatur me spërkatës ose janë penguar të punojnë duhet të merren seriozisht. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të sigurt, veçanërisht kur dokumentojnë veprimet e autoriteteve. Këto akuza kërkojnë hetime të shpejta, të paanshme dhe të pavarura, me të gjitha pamjet përkatëse të ruajtura dhe ata që janë përgjegjës të mbahen përgjegjës”.
“Kryeministri Edi Rama duhet të ndalojë frikësimin ose diskreditimin e mediave për mbulimin e tyre. Kur gazetarët përballen me dhunë gjatë kryerjes së punës së tyre dhe kryeministri sulmon organizatat mediatike, Shqipëria largohet edhe më shumë nga rruga evropiane që thotë se dëshiron të ndjekë. Respekti për lirinë e shtypit, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit duhet të demonstrohet në praktikë, jo vetëm të premtohet gjatë procesit të anëtarësimit në BE”,- tha Gozi.







