Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia në Lezhë, pasi dyshohet se posedonte armë zjarri dhe lëndë narkotike me qëllim shitjen.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, efektivët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë vënë në pranga shtetasin Gentjan Tanushi, banues në këtë qytet.
Sipas Policisë, 20-vjeçari ishte identifikuar pas informacioneve të marra se lëvizte i armatosur dhe merrej me shitjen e lëndëve narkotike.
Ai u lokalizua nga shërbimet policore në qytetin e Lezhës, por sapo konstatoi praninë e efektivëve, tentoi të largohej me vrap. Përpjekja e tij për t’i shpëtuar kontrollit përfundoi me kapjen dhe arrestimin e tij.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një pistoletë me krehër dhe municion luftarak. Ndërsa gjatë kontrollit të automjetit që përdorte, u zbulua një sasi prej 600 gramësh lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila dyshohet se mbahej për t’u shitur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, lënda e dyshuar narkotike, dy telefona celularë dhe automjeti që përdorte i riu.
Materialet procedurale në ngarkim të 20-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme.








