Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dy ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë verës në Dukagjin, ku mbetën të vrarë Aleksandër Koçeku dhe, më pak se dy muaj më vonë, babë e bir, Lekë dhe Prelë Gjoni.
Sipas BW, hetimet kanë ngritur dyshime të forta se të dyja vrasjet mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën dhe se pas tyre mund të fshihen atentate të porositura kundrejt pagesës.
Ngjarja e parë ndodhi më 11 korrik, kur Aleksandër Koçeku u qëllua me armë zjarri brenda automjetit të tij tip fuoristradë, duke mbetur i vdekur në vend. Në atë kohë, një prej familjarëve të tij, kushëri i viktimës, deklaroi se vrasja dyshohej të kishte ndodhur për motive gjakmarrjeje.
Por vetëm pak më shumë se një muaj më vonë, një tjetër atentat tronditi zonën, këtë herë në një distancë prej rreth 10 kilometrash nga vendi ku u vra Koçeku. Lekë Gjoni, 57 vjeç, dhe babai i tij i moshuar, Prelë Gjoni, u qëlluan me breshëri plumbash. Të dy humbën jetën, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur, por arriti të mbijetonte.
Ngjashmëritë në mënyrën e ekzekutimit të dy ngjarjeve kanë orientuar hetimet drejt dyshimit se ato nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra. Sipas të dhënave nga hetimi, policia dyshon se Lekë Gjoni mund të ketë pasur dijeni për rrethanat e vrasjes së Aleksandër Koçekut, madje edhe për autorët e saj, pa qenë domosdoshmërisht i përfshirë drejtpërdrejt në ekzekutim.
Dyshimet janë se kjo dijeni mund të jetë bërë shkak për eliminimin e tij dhe të babait të tij. Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që të dy atentatet të jenë kryer kundrejt pagesës, ndërsa porositësit e dyshuar mendohet se mund të ndodhen jashtë territorit shqiptar.
Grupi hetimor ka siguruar disa prova që, sipas burimeve, çojnë drejt personave të dyshuar për ekzekutimet. Një element i rëndësishëm për zbardhjen e plotë të ngjarjeve pritet të jetë edhe analiza e komunikimeve në telefonin celular të Lekë Gjonit, nga ku hetuesit shpresojnë të sigurojnë të dhëna të tjera mbi lidhjet dhe rrethanat që paraprinë atentatet.
Deri më tani, personat e dyshuar nuk janë shpallur zyrtarisht në kërkim, megjithatë, hetimet vijojnë dhe policia pritet të ndërmarrë në vijim një operacion për dokumentimin e plotë të dy vrasjeve dhe identifikimin e personave përgjegjës.







