Një 31-vjeçar shqiptar, banues në Mamurras, është arrestuar nga Policia Kufitare në Muriqan, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi me inicialet A. T., i njohur edhe me dy identitete të tjera, A. B. dhe A. C., u kap në dalje të Shqipërisë, si rezultat i kontrolleve të Policisë Kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën.
31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Instruksionit nr. 4 në Sabadell, Spanjë, me vendimin e datës 28 nëntor 2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të vjedhjes me dhunë.
Pas kapjes, ai iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të cilat kryen arrestimin e tij të përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.








