Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar të dhënat e fundit për personat e lënduar gjatë protestës së zhvilluar këtë të diel në Tiranë.
Sipas përditësimit të orës 19:00, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore gjithsej tre persona, dy protestues dhe një punonjës i Policisë së Shtetit.
Nga këta, një protestues dhe efektivi i policisë kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga spitali. Ndërkohë, protestuesi tjetër vijon të jetë i shtruar, nën kujdesin e mjekëve.
Ministria bën me dije gjithashtu se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur edhe një efektiv policie, i cili po kryen ekzaminimet e nevojshme për vlerësimin e gjendjes shëndetësore.
Të dhënat janë paraprake dhe bazohen në informacionet e përcjella nga strukturat spitalore pas protestës së së dielës.







