Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se ka mbërritur në Romë ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Sapo kam mbërritur në spitalin e Romës ‘San Carlo’, ku do të futem për një nga operacionet e radhës. Zoti baftë mrekulli”, shkruan ai.
Në fund të mesazhit, 28-vjeçari ka shtuar edhe shprehjen “Shqipëria e shqiptarëve”, të shoqëruar me flamurin kombëtar.

Erjon Vishkulli mbeti i plagosur gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë, ndërsa dëmtimi në sy ka ngritur shqetësime për rrezikun e humbjes së shikimit.
Pas ngjarjes, rasti i tij ka nxitur reagime të shumta publike, ndërsa protestuesit kanë shprehur solidaritet me të përmes mesazhit “Të gjithë jemi Erjon Vishkulli”.
Tashmë, shpresa është te trajtimi i specializuar në Itali dhe ndërhyrjet mjekësore që synojnë të shpëtojnë syrin e dëmtuar.







