Partia Demokratike i është bashkuar këtë të shtunë protestës kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, në mbështetje të studentëve, pedagogëve dhe bizneseve të vogla e të mesme, të cilat janë gjithashtu në protestë.
Në ditën e 12-të të revoltës studentore, deputetët demokratë janë nisur nga selia e PD-së rreth orës 12:30, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku pritet të qëndrojnë përpara Kryeministrisë.
Ndryshe nga protestat me fjalime politike, tubimi i sotëm i Partisë Demokratike nuk do të shoqërohet me fjalime. Protestuesit do të qëndrojnë para godinës së Kryeministrisë, në një protestë që zhvillohet në mbështetje të lëvizjes studentore dhe grupeve të tjera që i janë bashkuar revoltës kundër qeverisë.







