Kryeinspektori Shëndetësor ka marr disa masa ndaj zyrtarëve për mënyrën se si u trajtua rasti i ndërrimit të foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” në Prishtinë.
Këtij institucioni iu shqiptua vetëm një vërejtje me shkrim pasi nuk e kishte lajmëruar infermieren në DLA, ndërsa lënda e infermieres nuk u procedua fare në OIK për shkelje etike dhe profesionale
Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se janë marr disa masa në Inspektoratin Shëndetësor për mënyrën se si u trajtua rasti i ndërrimit të foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” në Prishtinë.
“Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar. Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim. Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, thuhet në njoftimin e MSh-së për masat që i ka marrë në këtë rast.







