Situata në Tiranë është përshkallëzuar gjatë protestës së studentëve, ku janë regjistruar akte dhune dhe janë shënuar disa incidente me zjarr në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Pranë Piramidës, protestuesit u kanë vënë flakën një automjeti dhe një motori të bardhë. Po në të njëjtën zonë, zjarri ka përfshirë edhe një strukturë të vogël në formë kubi.
Ndërkohë, tensionet janë shtrirë edhe në afërsi të Kryeministrisë, ku protestuesit i kanë vënë flakën një peme. Situata në zonë vijon të mbetet e tensionuar.
Gjatë zhvillimeve, Policia ka shoqëruar disa protestues, ndërsa incidentet e fundit vijnë pas përplasjeve të mëparshme mes efektivëve dhe pjesëmarrësve në tubim.
Më herët, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe presion uji në përpjekje për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve.
Ngjarjet e fundit kanë rënduar situatën në kryeqytet, duke e shoqëruar protestën e studentëve me incidente të dhunshme dhe dëme materiale.







