Edhe studentët e Universitetit Politeknik dhe Fakultetit të Ekonomisë dhe të Drejtësisë i janë bashkuar bojkotit të mësimit në auditorë.
Studentët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës në pritje të nisjes së protestës, e cila është thirrur sot në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.
Pas nisjes së marshimit, studentët i janë drejtuar Fakultetit të Shkencave të Natyrës aty ku hasën dyert e mbyllura të fakultetit. Vetëm pas disa minutash, dera është hapur dhe studentët kanë dalë duke brohoritur, çka lë të kuptohet se janë mbyllur me qëllim që të mos bojkotojnë mësimin.
Të rinjtë kanë lënë auditorët për t’iu bashkuar lëvizjes, e cila vijon pas protestës së gjatë të një dite më parë, të shoqëruar me përplasje me policinë.
Kujtojmë se edhe nxënësit e Gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe dolën rrugë duke bllokuar qarkullimin. Disa prej tyre dogjën koshat e mbeturinave në shenjë revolte.








