Shoferi shqiptar 45-vjeçar, i cili shkaktoi një aksident të rëndë tre ditë më parë në Selanik të Greqisë, është liruar nga qelia. Gjykata ka vendosur që ai të hetohet në gjendje të lirë, me kushtin që të mos largohet nga vendi.
Seanca e radhës gjyqësore pritet të mbahet javën e ardhshme, ku do të dëgjohen edhe dëshmitarë të ngjarjes. Ndaj 45-vjeçarit rëndojnë akuzat për drejtim të rrezikshëm të automjetit, shkaktim të dëmtimeve trupore nga pakujdesia dhe drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Aksidenti ndodhi rreth orës 01:10 të mëngjesit të së dielës, kur automjeti i drejtuar nga shqiptari doli nga rruga dhe përfundoi brenda një lokali, duke përplasur tavolina dhe klientë.
Si pasojë e përplasjes, tre persona mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas dëshmitarëve okularë, vazot e vendosura përgjatë perimetrit të lokalit dyshohet se luajtën një rol të rëndësishëm në ndalimin e automjetit, duke penguar përparimin e mëtejshëm të tij brenda ambientit.







