Trembëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas incidenteve dhe përshkallëzimit të protestës së zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Dy prej tyre janë larguar pas konsultës me mjekët, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet në urgjencë.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore dy gazetare, të cilat pas ekzaminimeve janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Në të njëjtin spital kanë marrë trajtim edhe gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë larguar nga spitali, gjithashtu jashtë rrezikut për jetën.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet nën monitorim.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj, duke garantuar ofrimin e ndihmës mjekësore për të gjithë personat që kanë pasur nevojë.







