Boshatisja e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë, gjatë punimeve për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit, shkaktoi ngordhjen masive të peshqve dhe dëme të rënda për ekosistemin. Ndërsa pasojat janë ende të dukshme në terren, mbeten pa përgjigje pyetjet mbi domosdoshmërinë e ndërhyrjes, mbikëqyrjen e punimeve dhe përgjegjësinë e institucioneve që duhej të garantonin zbatimin e tyre të sigurt.
Rreth 300 tonë peshq të ngordhur, një rezervuar pothuajse i tharë dhe një investim publik që përfundoi në një katastrofë ekologjike. Ajo që ndodhi në Kasharaj nuk është vetëm një histori e dëmit të shkaktuar në mjedis, por edhe një rast që ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes së punimeve në një vepër ujore të rëndësishme.
Rehabilitimi i digës dhe shkarkuesit ishte kontraktuar nga Bashkia Lushnjë, e cila kishte lidhur edhe një kontratë të veçantë për mbikëqyrjen e punimeve. Në këtë proces, përgjegjësi për sigurinë e digave ka edhe Sekretariati Teknik i Digave të Mëdha, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas Bashkisë Lushnjë, punimet u ndërprenë më 9 shkurt, me kërkesë të kompanisë zbatuese, dhe rifilluan në shtator. Megjithatë, një ditë pas ngjarjes, Bashkia deklaroi se nuk ishte njoftuar për rifillimin e tyre dhe kallëzoi penalisht kompanitë e përfshira, duke pretenduar se nuk kishin marrë masat e nevojshme për menaxhimin e ujërave.
Por, si mund të rifillonin punimet në një objekt të tillë pa dijeninë e institucionit që i kishte kontraktuar? Çfarë parashikonte projekti për menaxhimin e ujit dhe mbrojtjen e faunës ujore? Dhe ku ishte mbikëqyrja gjatë një ndërhyrjeje që përfundoi me ngordhjen masive të peshqve?
Përgjigjet kërkohen tashmë nga hetimi, por edhe nga dokumentacioni teknik dhe kontraktual i punimeve. Deri në sqarimin e plotë të rrethanave, rasti i Kasharajt mbetet një provë serioze për mënyrën se si kontrollohen investimet publike dhe sa efektive janë mekanizmat që duhet të parandalojnë dëme të tilla.
Përtej përgjegjësisë ligjore, pasojat janë tashmë të dukshme: një ekosistem i dëmtuar, humbje të konsiderueshme të faunës ujore dhe pikëpyetje mbi ndikimin ekonomik në një zonë ku rezervuari ka shërbyer ndër vite si për ujitjen e tokave bujqësore, ashtu edhe si burim peshku për banorët.
Pastrimi i rezervuarit mund të largojë peshqit e ngordhur, por nuk mund të fshijë pyetjet që çuan deri te kjo katastrofë.







