E ndezur seanca e sotme në parlament, teksa përplasja e radhës është ajo mes Blendi Klosit dhe Sali Berishës.
Klosi u shpreh i bindur se reforma territoriale do të votohet dhe i kërkoi opozitës të zhvillojnë një seancë parlamentare të rregullt.
“Jemi më të fortë se kurrë, të gatshëm t’ju sfidojmë se nga të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji sotëm, të merrni më pak se gishtat e dorës bashki në zgjedhje. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm do t’i fitojmë.
Jemi këtu për tu përballur me argumenta, sepse mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta dhe u shërbehet më mirë qytetarëve. Le të hyjmë në diskutim të rregullt parlamentar. Mos bëni rrëmujë. Ose diskutoni, ose shkoni protestoni. Nuk keni asnjë shpresë, reforma do të votohet”, u shpreh Klosi.
Përgjigja e Berishës ishte: “Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton asnjë përgjigje. Është skllav i vesit të tij. Ndaj ftoj shqiptarët të shumëzojnë me zero diskutimin që bëri”.








