Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori materialet procedurale për Agron Taren, vëllain e ish-futbollistit Igli Tare, pas kallëzimit të bërë nga gazetari Almer Toska, i cili pretendon se është kërcënuar prej tij.
Sipas kallëzimit, ngjarja ka ardhur pas disa daljeve televizive të Toskës në News24, ku gazetari ka folur për çështje që lidhen me Igli Taren dhe denoncime të tij mbi afera të dyshuara korruptive që kanë në qendër Belinda Ballukun.
Gazetari ka deklaruar se, pasi kishte dalë nga studio televizive, është kontaktuar në telefon nga Agron Tare. Sipas tij, gjatë komunikimit janë përdorur edhe fjalë fyese dhe kërcënuese, ndërsa Tare i ka kërkuar që të takoheshin.
Në vijim të kallëzimit, policia ka shoqëruar Agron Taren për të dhënë shpjegime lidhur me rastin. Nga ana e tij, Tare ka deklaruar se e kishte kontaktuar gazetarin për t’i kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat që ai kishte bërë në televizion.
Ndërkohë, gazetari Almer Toska ka bërë publike edhe disa prej mesazheve që pretendon se i ka marrë nga personi që e identifikon si Agron Tare. Në komunikime, krahas kërkesës për t’u takuar, shfaqen edhe shprehje fyese dhe kërcënuese.
“Je gangster ti, kurvë mashkull! Ku je se ta tregoj unë ty”, është një prej mesazheve të publikuara nga gazetari.
Materialet e referuara nga Policia e Tiranës tashmë janë në Prokurori, e cila pritet të vlerësojë rrethanat e rastit dhe pretendimet e ngritura nga gazetari.








