Pesë shtetase të huaja janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në tre apartamente të marra me qira ditore në kryeqytet.
Në pranga kanë rënë tre shtetase vietnameze dhe dy kineze, ndërsa një shtetas vietnamez është shpallur në kërkim si personi që dyshohet se siguronte kushtet për aktivitetin e tre prej të arrestuarave.
Policia njofton se aktiviteti zhvillohej në tre apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetaset vietnameze V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, si dhe shtetaset kineze L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi vietnamez T. T., 35 vjeç. Sipas policisë, ai dyshohet se kundrejt përfitimit kishte siguruar kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie nga tre shtetaset vietnameze.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 5 telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për publikimin e njoftimeve dhe reklamimin e aktivitetit në rrjetet sociale.
Policia bën me dije gjithashtu se dy shtetas të tjerë janë vënë nën hetim, pasi dyshohet se përfitonin nga kjo veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim.








