Pothuajse të gjithë 15-vjeçarët shqiptarë mësojnë në shkolla ku celularët nuk lejohen, duke e vendosur Shqipërinë ndër sistemet arsimore me kufizimet më të forta për telefonat në shkollë. Raporti i ri PISA 2025 i OECD-së nxjerr në pah se 95.9% e nxënësve janë në shkolla ku celularët ndalohen.
Kufizimi i telefonave në Shqipëri është gjithashtu më i përhapur se në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Në Mal të Zi, 94.5% e nxënësve janë në shkolla ku celularët nuk lejohen, në Kosovë 73.2%, në Maqedoninë e Veriut 59.9% dhe në Serbi 47.7%. Pra, Shqipëria dhe Mali i Zi dallojnë qartësisht nga pjesa tjetër e rajonit për nivelin e kufizimit të telefonave.
Në të njëjtën kohë, 65.1% e nxënësve shqiptarë raportojnë se nuk shpërqendrohen nga pajisjet digjitale, krahasuar me vetëm 39.2% mesatarisht në OECD. OECD vëren në nivel ndërkombëtar se në shkollat me politika të qarta për celularët, qoftë ndalim apo rregulla të përcaktuara mirë, nxënësit raportojnë më pak shpërqendrim nga pajisjet digjitale.
AI, përdorimi sa OECD, por edukimi për të dukshëm më i lartë
Një tjetër rezultat që bie në sy është inteligjenca artificiale. 45.5% e nxënësve shqiptarë përdorin AI të paktën një herë në javë për t’i ndihmuar të mësojnë, saktësisht sa mesatarja prej 45.5% në OECD. Por Shqipëria renditet shumë më lart kur pyeten nxënësit nëse në shkollë mësojnë të vlerësojnë informacionin e prodhuar nga inteligjenca artificiale.
Në Shqipëri, këtë e raportojnë 81.6% e nxënësve, ose 19 pikë përqindjeje më shumë se mesatarja prej 62.6% në OECD. Për krahasim, kjo përqindje është 76.7% në Kosovë, 75.5% në Maqedoninë e Veriut, 61.6% në Serbi dhe 57.9% në Mal të Zi.
Edhe për rregullat mbi përdorimin e pajisjeve digjitale sipas lëndëve, Shqipëria del mbi mesataren. 85.7% e nxënësve janë në shkolla me udhëzime specifike sipas lëndës për përdorimin e pajisjeve digjitale, kundrejt 71.2% në OECD. Në rajon, kjo përqindje është 76.7% në Maqedoninë e Veriut, 74.5% në Kosovë, 55.3% në Serbi dhe vetëm 30.5% në Mal të Zi.
Por OECD thekson se marrëdhënia mes përdorimit të inteligjencës artificiale dhe rezultateve mësimore nuk është e drejtpërdrejtë. Në përgjithësi, nxënësit që nuk përdorin AI për disa detyra specifike shkollore rezultojnë më mirë se ata që e përdorin, ndërsa përdoruesit javorë dhe ata që nuk e përdorin AI për qëllime të përgjithshme kanë rezultate të ngjashme. PISA gjen gjithashtu se përdorimi më i shpeshtë i AI shoqërohet me rezultate disi më të mira kur nxënësit kanë mundësi të zhvillojnë aftësitë për ta përdorur dhe vlerësuar atë në mënyrë kritike./ekofin.al







