Një libër prej rreth 800 faqesh, 60 studio ndërkombëtare arkitekture dhe më shumë se 500 projekte në Shqipëri. “The Albanian Files: Freedom and Architecture”, botuar në qershor nga Lars Müller Publishers dhe redaktuar nga Anneke Abhelakh, është konceptuar si një arkiv i transformimit arkitektonik të vendit gjatë rreth dy dekadave.
Por pas publikimit, libri u kthye edhe në objekt debati politik dhe qytetar për mënyrën se si është zhvilluar territori shqiptar.
Në një intervistë për ArchDaily, Abhelakh shpjegon se libri nuk është thjesht një katalog ndërtesash. Çdo studio ka “dosjen” e saj dhe vendos vetë se çfarë projektesh, imazhesh dhe informacioni do të paraqesë.
“Çfarë fshihet pas një ndërtese?”. Është një nga pyetjet që ngrihet në mënyrë indirekte në intervistën e Anneke Abhelakh.
Abhelakh thotë se arkitektët e intervistuar e kanë përdorur shpesh termin “liri” për të përshkruar Shqipërinë, duke iu referuar procedurave të shpejta, kufizimeve të pakta rregullatore dhe rasteve të përjashtimeve në ndërtim.
Libri mori një tjetër dimension për shkak të rolit që Edi Rama ka në të. Kryeministri ka shkruar parathënien e botimit, ndërsa disa nga studiot e përfshira tregojnë në kapitujt e tyre se si kanë hyrë në kontakt me Shqipërinë dhe me Ramën, fillimisht si kryebashkiak i Tiranës dhe më pas si kryeministër.
Më 1 korrik 2026, një protestuesish e dorëzoi librin në SPAK, duke kërkuar që informacionet e përfshira në të të shqyrtoheshin në kuadër të pretendimeve të tyre për vendimmarrjet mbi projektet e ndërtimit. Protestuesit pretenduan se libri dokumenton 523 projekte të realizuara, në ndërtim ose të planifikuara dhe ngritën pikëpyetje mbi konsultimin publik, projektet në zona të mbrojtura dhe ndryshimet ligjore që lidhen me to.
Më 14 korrik, edhe Partia Demokratike depozitoi një kallëzim penal në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama, ku “The Albanian Files” u përfshi si material i referuar në kallëzim. Sipas PD-së, libri ngre pretendime për mënyrën e përzgjedhjes së studiove ndërkombëtare, lidhjet e tyre me investitorë dhe procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit.
INTERVISTA:
ArchDaily: Parathënia rikthen fjalën “dosje”. Dosjet, thuhet aty, ishin mjete kontrolli, të hartuara për njerëzit dhe pa dijeninë e tyre. Çfarë donit të përcillnit me këtë fjalë?
Anneke Abhelakh: Kjo mënyrë historike e leximit vjen nga parathënia e Edi Ramës. Ai shkruan për dosjen përmes historisë së Shqipërisë me survejimin dhe kontrollin, ku dosjet hartoheshin për njerëzit dhe jo nga vetë ata.
Këtu janë arkitektët ata që vendosin se çfarë të tregojnë dhe si ta dokumentojnë atë: tetë faqe për shumicën e studiove, ndërsa 16 faqe për ato që kanë punuar në Shqipëri për më shumë se dhjetë vjet. Çdo kontribut rrethohet nga një strukturë rozë që përmban të njëjtin informacion faktik: kur studioja erdhi në Shqipëri, bashkëpunëtorët lokalë, anëtarët e ekipit, më pas intervista dhe në fund një faqe për projektin, ku paraqiten vendndodhjet, klientët, porositë publike ose private dhe, kur ka të dhëna, përmasat e tyre.
Pra, ekzistojnë dy forma autorësie: mënyra se si arkitektët e paraqesin veten dhe struktura editoriale që qëndron rreth tyre. Kur bashkon 60 dosje, fillojnë të shfaqen gjëra që nuk janë të dukshme në një dosje të vetme. Fillojnë të duken marrëdhënie, përsëritje, dallime dhe kontradikta mes tyre.
ArchDaily: Nëntitulli është “Liria dhe Arkitektura”. Në materialet e ndryshme, liria shfaqet si shpejtësi dhe, në disa raste, si mungesë kufizimesh [leje të shpejta, pak kufizime rregullatore, përjashtime në ndërtim]. Çfarë bëri të mundur kjo liri?
Anneke Abhelakh: Liria u përmend shpesh në intervista. Arkitektët e përdornin këtë fjalë për të përshkruar atë që hasën në Shqipëri dhe atë që ndienin se mund të bënin atje.
Lea Ypi bën një dallim të rëndësishëm mes çlirimit dhe lirisë. Çlirimi mund të nënkuptojë shkëputjen nga një rend ekzistues; liria lidhet me atë që vjen më pas dhe me institucionet dhe marrëdhëniet përmes të cilave ajo merr formë. Arkitektura nuk krijohet kurrë jashtë këtyre kushteve.
Liria ka gjithashtu një lidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë dhe integritetin. Dhe kjo nuk i përket vetëm arkitektit. Ajo i përket edhe atyre që porosisin arkitekturën dhe krijojnë kushtet në të cilat ajo realizohet. Sa më e madhe të jetë hapësira për të vepruar, aq më e madhe bëhet edhe përgjegjësia.
ArchDaily: Në hyrje shkruani se, për Zenghelis, arkitektura ishte gjithmonë e pandashme nga politika si një mënyrë për t’u angazhuar me kushtet e jetës së përbashkët; ai e mbante këtë larg ideologjisë. Njëzet vjet më vonë, dosjet e dokumentuara në libër ndodhen në anën tjetër të kësaj vije. Çfarë ndodhi ndërkohë?
Anneke Abhelakh: Zenghelis është në fillim të kësaj historie. Ai ishte pjesë e jurisë së një prej konkurseve të para për planin e përgjithshëm urban të qendrës së Tiranës, ku ai dhe Edi Rama gjetën një pikë të përbashkët në atë që arkitektura mund të bënte. Përmes tij, edhe Instituti Berlage erdhi në Tiranë dhe, bashkë me të, një rrjet arkitektësh që do të vazhdonin të punonin në Shqipëri.
Njëzet vjet më vonë, besimi te arkitektura është ende aty, por Shqipëria rreth saj ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Turizmi është rritur, toka është bërë më e vlefshme, investimet private dhe zhvilluesit kanë një rol shumë më të madh dhe arkitektët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë.
Arkitektura është pjesë e këtij procesi dhe i jep atij një fytyrë. Shiko një ndërtesë, një plan urbanistik apo një imazh të bukur dhe më pas shiko gjithçka që qëndron përreth: kush e porositi, kush e zhvillon, çfarë ndodh me tokën dhe, në fund, çfarë lloj qytetesh krijojnë së bashku të gjitha këto projekte individuale.
ArchDaily: Një pjesë e madhe e punëve të mbledhura në libër ende nuk janë ndërtuar. Si e ndryshon akti i dokumentimit të një projekti të parealizuar realitetin e tij të ardhshëm?
Anneke Abhelakh: Një projekt i pandërtuar tashmë ka një realitet të vetin. Ai mund të ndryshojë pritshmëritë për një vend, të tërheqë investime, të hyjë në debatin publik ose të bëjë të imagjinueshme një të ardhme tjetër. Nuk është e nevojshme të ndërtohet për të pasur pasoja.
Arkitektura ka pasur gjithmonë projekte të jashtëzakonshme që nuk janë ndërtuar. Ndonjëherë një ide, një vizatim apo një propozim ka pasur po aq ndikim në arkitekturë sa edhe një ndërtesë.
Unë nuk bëj dallim mes të ndërtuarës dhe të pandërtuarës, mes të suksesshmes dhe të dështuarës, mes projekteve të mëdha dhe të vogla. Së bashku, ato tregojnë se çfarë imagjinohej për Shqipërinë në një moment të caktuar. Libri e fikson atë moment. Disa projekte do të ndërtohen, disa do të ndryshojnë dhe disa do të zhduken. Unë i ruaj të treja në arkiv.







