Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca plenare për shqyrtimin e kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtojnë zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.
Shabani u zgjodh nga Kuvendi më 11 dhjetor, pasi mori 85 vota pro nga mazhoranca. Pas votimit, opozita e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se procedura e ndjekur nga Kuvendi nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.
PD ka ngritur gjithashtu pretendime lidhur me përmbushjen e kushteve për ushtrimin e funksionit nga ana e Shabanit.
Debati për kandidaturën u përshkallëzua pasi Partia Demokratike tërhoqi mbështetjen për kandidatët që kishte propozuar për postin e Avokatit të Popullit, mes tyre edhe Endri Shabani. Pavarësisht tërheqjes së firmave nga opozita, kandidatura e tij u hodh në votim dhe mori shumicën e nevojshme në Kuvend.
Gjatë seancës së sotme, Gjykata Kushtetuese do të dëgjojë argumentet e palëve dhe do të shqyrtojë pretendimet e ngritura nga deputetët demokratë për kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjes.
Vendimi i Kushtetueses do të përcaktojë nëse procedura e ndjekur për zgjedhjen e Shabanit në krye të institucionit të Avokatit të Popullit është zhvilluar në përputhje me kërkesat kushtetuese.







