Shqipëria po shkon drejt rishikimit të ri të hartës territoriale, vetëm një dekadë pasi 373 bashkitë dhe komunat e mëparshme u bashkuan në 61 bashki. Në tryezën e Kuvendit janë dy alternativa pothuajse të kundërta, propozimi i Partisë Socialiste, që synon reduktimin e mëtejshëm në 46 bashki, dhe platforma e opozitës për krijimin e rreth 100 bashkive.
Në raportet që shoqërojnë propozimet, qeveria vlerëson se reforma e vitit 2014 krijoi një bazë më të mirë administrative, por la në këmbë bashki të vogla, të varfra dhe me kapacitete të pamjaftueshme, ndaj konsolidimi duhet të vijojë.
Opozita argumenton se krijimi i bashkive të mëdha e largoi pushtetin vendor nga qytetari, dobësoi qytetet e vogla dhe ish-komunat dhe përqendroi shërbimet, investimet dhe vendimmarrjen në qendrat bashkiake.
Ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile mendojnë se vlerësimi i reformës nuk mund të mbështetet vetëm te numri i bashkive.
Një anketë e fundit e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) për këshillat bashkiakë tregon se një pjesë e problemeve të qeverisjes vendore vjen nga përqendrimi i pushtetit te kryetari i bashkisë, dobësia e këshillave bashkiakë, mungesa e përfaqësimit territorial dhe autonomia e kufizuar financiare.
Përplasja ndërmjet dy platformave lidhet me vendin ku duhet të përqendrohet pushteti vendor. PS kërkon që kapaciteti financiar dhe administrativ të përqendrohet në bashki më të mëdha, ndërsa shërbimi të shpërndahet në territor.
PD kërkon që përfaqësimi dhe vendimmarrja të shpërndahen në më shumë bashki, ndërsa kapacitetet teknike dhe ekonomitë e shkallës të përqendrohen në rajone.
Në njërin model, bashkia është institucioni kryesor i zhvillimit dhe rajoni shërben si nivel mbështetës. Në modelin e opozitës, bashkia është kryesisht institucioni i qytetarit dhe komunitetit, ndërsa rajoni merr rol më të madh në zhvillim, infrastrukturë dhe administrimin e shërbimeve të përbashkëta.

Propozimi i PS-së vijon me konsolidim nga 61 në 46 bashki
Propozimi i mazhorancës mbështetet në idenë se një pjesë e 61 bashkive nuk kanë arritur masën e nevojshme demografike, ekonomike dhe administrative për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Zgjidhja është bashkimi i njësive më të dobëta me qendra më të forta brenda të njëjtit qark.
Raporti i mazhorancës e mbështet analizën në pesë kritere, kapacitetin financiar dhe funksional, performancën ekonomike, masën urbane dhe demografike, kohën e udhëtimit drejt qendrës më të afërt dhe kohezionin historik, kulturor e minoritar.
Të dhënat tregojnë se madhësia e bashkisë ndikon te kapaciteti administrativ.
Bashkitë e mëdha kanë mesatarisht rreth 13 punonjës për 1 mijë banorë, ndërsa të voglat, rreth 26 punonjës për 1 mijë banorë.
Njësitë e vogla përballojnë kosto më të larta administrative për banor, pa ofruar domosdoshmërisht shërbime më të mira.
Dallimi shfaqet edhe në ushtrimin e kompetencave, pasi nga 41 funksionet vendore të analizuara, vetëm katër vlerësohen se ushtrohen mirë, ndërsa gjashtë mbeten praktikisht të paushtruara. Mesatarisht, bashkitë mbulojnë vetëm 15,8 nga 34 funksionet e matshme, ose rreth 46% të tyre.
Sipas mazhorancës, bashkitë e vogla kanë vështirësi të punësojnë juristë, inxhinierë, specialistë të prokurimeve, ekspertë të financave, planifikues urbanë dhe staf për projektet europiane, tani në prag të anëtarësimit. Për mazhorancën, bashkimi do të reduktonte përsëritjen e strukturave dhe do të krijonte administrata më të specializuara.
Njësitë më të mëdha mund të kenë gjithashtu më shumë mundësi për të përgatitur projekte dhe për të përthithur fondet e Bashkimit Europian. Procesi i anëtarësimit do të kërkojë që pushteti vendor të zbatojë një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit europian dhe të menaxhojë projekte më komplekse, veçanërisht në mjedis, infrastrukturë dhe zhvillim rajonal.
Avantazhi ekonomik dhe administrativ
Modeli me 46 bashki mund të funksionojë për njësitë me popullsi të vogël, të ardhura shumë të ulëta dhe lidhje të forta me një qendër të afërt. Raporti i mazhorancës analizon se për 41 bashkitë e projektuara, koha mesatare e udhëtimit drejt një qendre më të fortë brenda qarkut është rreth 37 minuta.
Tetëmbëdhjetë bashki e arrijnë qendrën e mundshme brenda 30 minutash dhe 20 të tjera, brenda 30-60 minutash.
Në raste të tilla, mbajtja e dy administratave të plota mund të ketë pak logjikë ekonomike, sidomos kur njëra nga bashkitë nuk arrin të financojë funksionet bazë. Bashkimi mund të ulë kostot fikse, të rrisë kapacitetin e planifikimit dhe të krijojë një territor më të përshtatshëm për organizimin e transportit, mbetjeve, shërbimeve sociale dhe mbrojtjes civile.
Megjithatë, vetë raporti i mazhorancës pranon se ekonomitë e shkallës nuk funksionojnë njësoj për çdo shërbim. Për mbetjet, ujësjellësit, transportin ose emergjencat mund të nevojitet një shkallë e madhe organizimi. Për shërbimet administrative, kujdesin social ose mirëmbajtjen lokale, afërsia me qytetarin mbetet vendimtare.

Rreziku i një konsolidimi të dytë
Dobësia kryesore e propozimit të PS-së është se mund të thellojë problemin që krijoi reforma e vitit 2014, bashki më të mëdha në hartë, por me shërbime, investime dhe vendimmarrje të përqendruara në qytetin qendër.
Sot, 50 njësi administrative, ose rreth 16% e totalit, ndodhen më shumë se një orë larg qendrës më të afërt bashkiake. Në zona të veçanta malore, udhëtimi arrin në dy ose tre orë. Reduktimi i mëtejshëm i numrit të bashkive mund ta zgjerojë këtë distancë.
Fushë-Arrëzi dhe Poliçani ndodhen më shumë se një orë larg qendrave ku teorikisht mund të bashkohen.
Studimi i IDM-së tregon se në bashkitë e sotme të zgjeruara është dobësuar edhe përfaqësimi politik i territoreve periferike. Njësitë administrative nuk kanë këshilla të zgjedhur dhe nuk administrojnë buxhetin e tyre.
Interesat e ish-komunave përfaqësohen brenda një këshilli bashkiak të zgjedhur me lista partiake për të gjithë territorin, pa garanci që çdo zonë do të ketë përfaqësuesin e vet. Nëse numri i bashkive ulet në 46 pa ndryshuar këtë sistem, qendrat e vogla dhe zonat rurale mund të humbin edhe më shumë ndikim mbi investimet dhe shërbimet.
Njësitë administrative, hallka që PS kërkon të forcojë
Reduktimi i numrit të bashkive rrezikon ta largojë edhe më shumë qendrën e vendimmarrjes nga fshatrat dhe periferitë. Për ta zbutur këtë problem, platforma socialiste parashikon forcimin e njësive administrative që sot funksionojnë kryesisht si zyra vartëse të bashkive.
Njësitë administrative nuk do të riktheheshin si komuna të pavarura, me buxhet dhe kryetar të zgjedhur, por do të merrnin më shumë kompetenca të deleguara. Në to mund të ofroheshin shërbime të drejtpërdrejta, të administroheshin buxhete të kufizuara dhe të krijoheshin zyra të përhershme për qytetarët.
Kështu, modeli i PS-së ndërtohet mbi një bashki më të madhe në nivel politik dhe financiar, por me pika më të shumta shërbimi në territor. Digjitalizimi dhe shërbimet në distancë shihen gjithashtu si mjete për të kompensuar largësinë nga qendra bashkiake.

Opozita propozon 100 bashki dhe rikthimin e afërsisë
Opozita e konsideron reformën e vitit 2014 si një konsolidim të tepruar, që nuk solli rezultatet e premtuara në shërbime, autonomi financiare dhe zhvillim të balancuar. Alternativa e saj është rritja e numrit të njësive në rreth 100 bashki.
Kjo nuk nënkupton kthim te 373 bashkitë dhe komunat e dikurshme, por krijimin e një niveli të ndërmjetëm me më shumë njësi se sot, por më pak dhe më të qëndrueshme se përpara vitit 2015.
Argumenti themelor në raportin e Opozitës është se bashkia duhet të jetë fizikisht e arritshme dhe politikisht e kontrollueshme nga qytetari. Bashkia mesatare shqiptare ka sot rreth 471 kilometra katrorë dhe afro 39 mijë banorë.
Për nga sipërfaqja, njësitë vendore shqiptare janë shumë më të mëdha se komunat në shumicën e vendeve të Europës.
Në Shqipëri, ku rreth dy të tretat e territorit janë kodrinore dhe malore, një bashki e madhe mund të përfshijë komunitete që kanë pak lidhje me njëri-tjetrin dhe përdorin qendra të ndryshme ekonomike dhe shërbimesh.
Platforma e opozitës propozon që asnjë vendbanim të mos jetë më shumë se 30 minuta larg qendrës vendore në zonat fushore dhe më shumë se 60 minuta në zonat malore. Bashkitë e mëdha që konsiderohen të pamenaxhueshme do të ndaheshin, ndërsa disa qytete të vogla do të rikthenin statusin e njësisë së pavarur.
Afërsia dhe zhvillimi policentrik
Përparësia e modelit të opozitës është rikthimi i vendimmarrjes më pranë komunitetit. Një bashki më e vogël mund të njohë më mirë nevojat lokale, të krijojë lidhje më të drejtpërdrejtë ndërmjet taksave dhe shërbimeve dhe t’u japë më shumë peshë politike qendrave që sot janë reduktuar në njësi administrative.
Urbanisti Gent Kaprata e lidh propozimin me nevojën për një zhvillim policentrik. Sipas tij, Shqipëria ka një rrjet qytetesh, por jo një sistem funksional policentrik. Tirana dhe korridori Tiranë-Durrës përqendrojnë popullsinë, kapitalin, aktivitetin ekonomik, shërbimet dhe vendimmarrjen, ndërsa qytetet e tjera humbin vazhdimisht banorë dhe funksione.
Në këtë këndvështrim, forcimi i qyteteve dytësore nuk është vetëm çështje e administrimit vendor, por lidhet me shpërndarjen e investimeve, tregjet lokale të punës dhe frenimin e përqendrimit të zhvillimit në zonën qendrore.
Propozimi i opozitës ka përparësi edhe në përfaqësim, sipas tij. Një numër më i madh bashkish do të krijonte më shumë kryetarë dhe këshilla të zgjedhur drejtpërdrejt. Qendra që sot nuk kanë zë politik të veçantë do të rifitonin mundësinë të përcaktonin buxhetin dhe përparësitë e tyre.

Rreziku i bashkive pa financa
Megjithatë, afërsia nuk prodhon vetvetiu shërbime cilësore pasi një bashki e vogël mund të jetë më pranë qytetarit, por pa ekspertë dhe pa buxhet nuk mund të ketë efektivitet.
Raporti i opozitës pranon se bashkitë e vogla kanë më shumë vështirësi në rekrutimin e stafit dhe në ushtrimin e funksioneve komplekse. Rikrijimi i njësive të vogla pa një reformë të financimit mund të shtojë strukturat administrative dhe varësinë nga buxheti qendror.
Aktualisht, 47 bashki gjenerojnë secila më pak se 1% të të ardhurave të veta vendore në shkallë vendi. Shumica e njësive varen ndjeshëm nga transfertat. Rreth 36,6% e të ardhurave tatimore vendore sigurohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, një burim që përqendrohet në zonat me ndërtim dhe nuk siguron bazë të qëndrueshme për bashkitë e vogla dhe rurale.
Nëse krijohen 100 bashki pa një fond të fortë barazimi fiskal, disa prej tyre mund të kenë kryetar dhe këshill të zgjedhur, por të mos kenë para për të realizuar prioritetet e komunitetit. Përfaqësimi do të rritej, ndërsa kapaciteti real mund të mbetej i dobët.
Rajonet, kundërpesha e PD-së ndaj copëzimit bashkiak
Shtimi i bashkive ngre menjëherë problemin e kostove dhe të kapaciteteve, për shkak se një bashki e vogël mund të jetë më pranë qytetarit, por nuk mund të përballojë e vetme menaxhimin e mbetjeve, transportin ndërvendor, ujësjellësit, planifikimin e gjerë territorial ose projektet e mëdha infrastrukturore.
Për këtë arsye, modeli i PD-së mbështetet në krijimin e rajoneve funksionale. Bashkitë do të mbanin shërbimet e përditshme dhe përfaqësimin politik, ndërsa rajoni do të administronte funksionet që kërkojnë ekonomi shkalle dhe koordinim ndërmjet disa bashkive.
Rajonet mund të merrnin përgjegjësi për zhvillimin ekonomik, transportin rajonal, menaxhimin e integruar të mbetjeve, infrastrukturën mjedisore, turizmin, mbrojtjen civile dhe projektet që kalojnë kufijtë e një bashkie. Ato do të shërbenin gjithashtu për programimin dhe administrimin e fondeve të Bashkimit Europian.
Kjo krijon një sistem me disa nivele: bashki më të vogla për demokracinë dhe shërbimet e afërta; rajone më të mëdha për zhvillimin, investimet dhe shërbimet komplekse; ndërsa njësitë administrative ose strukturat komunitare do të ruanin përfaqësimin në nivelin më të ulët.

Qarqet: Të dyja palët pranojnë se modeli aktual nuk funksionon
Pavarësisht dallimeve për numrin e bashkive, të dyja platformat afrohen në vlerësimin për qarqet. Shqipëria ka aktualisht 12 qarqe si nivel të dytë të qeverisjes vendore, por kompetencat, financimi dhe ndikimi i tyre janë të kufizuara.
Qarku nuk është shndërruar në një institucion real të zhvillimit rajonal. Ai nuk kontrollon burime të konsiderueshme financiare, nuk administron shumicën e shërbimeve ndërbashkiake dhe nuk ka një rol të fortë në planifikimin ekonomik.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka tri rajone statistikore të nivelit NUTS II, por ato përdoren kryesisht për statistika dhe nuk janë nivele të zgjedhura të qeverisjes.
PS propozon ndërtimin e një niveli rajonal funksional mbi 12 qarqet ekzistuese. Kjo mënyrë shmang nevojën për ndryshime të thella kushtetuese dhe mundëson që qarqet të marrin gradualisht funksione të reja. Ato do të administronin shërbimet ndërbashkiake, programimin e fondeve europiane dhe disa funksione që bashkitë e vogla nuk kanë kapacitet t’i ushtrojnë.
Në këtë model, 12 qarqet nuk zhduken, por transformohen në struktura me përmbajtje më të qartë rajonale.
Platforma e PD-së është më e hapur ndaj një riorganizimi të nivelit të dytë. Qarqet aktuale mund të reformohen ose të zëvendësohen nga rajone funksionale, kufijtë e të cilave do të bazoheshin më shumë te lidhjet ekonomike, infrastrukturore dhe historike sesa te ndarja e sotme administrative.
Megjithatë, edhe në platformën e opozitës, numri përfundimtar, kufijtë dhe mënyra e zgjedhjes së rajoneve nuk paraqiten ende si një hartë e mbyllur. Çështja kryesore është që niveli i dytë të ketë kompetenca, financim dhe përgjegjësi reale, jo të mbetet një strukturë formale si qarku i sotëm.

Këshillat bashkiakë, hallka që mungon në të dyja platformat
Studimi i IDM-së tregon se as modeli me 46 bashki, as ai me 100 nuk mund të funksionojë pa ndryshuar balancën e pushtetit brenda bashkisë.
Ligji i njeh këshillit bashkiak 19 kompetenca kryesore që lidhen me buxhetin, paketën fiskale, pronën, investimet, kontrollin e administratës dhe mbikëqyrjen financiare. Në praktikë, këshillat shpesh funksionojnë më shumë si struktura miratuese të propozimeve të ekzekutivit sesa si institucione të pavarura vendimmarrëse dhe kontrolluese.
Studimi i IDM-së u mbështet në 128 pyetësorë me anëtarë dhe drejtues të këshillave bashkiakë, si dhe në fokus-grupe me këshilltarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Të anketuarit i vlerësuan këshillat më pozitivisht për miratimin formal të buxhetit dhe paketës fiskale, por shumë më dobët për kontrollin e administratës, prokurimeve, investimeve dhe zbatimit të vendimeve.
Mbi 70% deklaruan se raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, auditimit të brendshëm dhe pasqyrat financiare nuk paraqiten asnjëherë në këshill ose paraqiten shumë rrallë. Në shumë raste, dokumentacioni u dërgohet këshilltarëve vetëm një ditë para mbledhjes, duke e bërë të pamundur analizën e plotë.
Komisionet e këshillave nuk kanë gjithmonë ekspertizë, staf dhe burime financiare. Ligji përcakton kompetencat e këshillit, por nuk ndërton procedura të plota për ushtrimin e tyre. Si pasojë, kontrolli ndaj kryetarit mbetet shpesh formal dhe reaktiv.
Dobësia e këshillave e prek në mënyra të ndryshme secilën platformë. Në modelin me 46 bashki, këshillat mund të kenë më shumë burime profesionale, por do të përfaqësojnë territore më të mëdha dhe më heterogjene.
Në modelin me 100 bashki, përfaqësimi mund të jetë më i afërt, por rrezikohet shumëfishimi i këshillave të vogla pa ekspertizë dhe mbështetje administrative.
IDM rekomandon krijimin e një sekretariati profesional dhe të pavarur për çdo këshill, me ekspertizë juridike dhe financiare, autonomi buxhetore dhe mundësi për të angazhuar ekspertë të jashtëm. Raporti propozon që Komisioni i Financave dhe Mbikëqyrjes të jetë i detyrueshëm dhe që këshilltarët të kenë akses të plotë e në kohë në dokumentet e administratës.
Por rekomandimi më i rëndësishëm për reformën territoriale është krijimi i këshillave lokalë në njësitë administrative. Këto struktura do të përbëheshin nga kryetarët e fshatrave dhe përfaqësues të komuniteteve dhe do të përfshiheshin detyrimisht në konsultimet për investimet, shërbimet dhe buxhetin.
Këshillat lokalë mund të kompensojnë humbjen e përfaqësimit nëse bashkitë zvogëlohen në numër. Por ato janë të nevojshme edhe në modelin me 100 bashki, sepse çdo bashki, pavarësisht madhësisë, përmban zona periferike që rrezikojnë të mbeten jashtë vendimmarrjes.

Modeli më i përshtatshëm, bashki të arritshme dhe shërbime të përbashkëta
Përvoja europiane ofron modele të ndryshme të ndarjes territoriale, nisur nga historia dhe thyerja e terrenit. Franca, p.sh., ka ruajtur mbi 34 mijë komuna, por ka ndërtuar struktura të fuqishme bashkëpunimi ndërkomunal.
Gjermania, Austria, Italia dhe Spanja kanë gjithashtu shumë njësi të vogla, ndërsa funksionet që kërkojnë ekonomi shkalle realizohen përmes bashkëpunimit, qarqeve, provincave ose rajoneve.
Në anën tjetër, vendet nordike kanë ndjekur reforma konsoliduese, por bashkimin e kanë shoqëruar me standarde të qarta të aksesit, zyra lokale, decentralizim të shërbimeve dhe nivele rajonale funksionale.
Për Shqipërinë, modeli më i afërt shihet me organizimin francez dhe spanjoll, me bashki relativisht të arritshme për qytetarin, të shoqëruara me bashkëpunim ndërbashkiak të detyrueshëm dhe një nivel rajonal me kompetenca të forta.
Në këtë model, bashkitë do të mbanin shërbimet e afërta me administratën civile, mirëmbajtjen lokale, hapësirat publike, arsimin parashkollor, kujdesin social bazë dhe zhvillimin e komunitetit.
Shërbimet që kërkojnë territor më të madh dhe investime të kushtueshme si trajtimi i mbetjeve, transporti rajonal, infrastruktura ujore, mbrojtja civile, planifikimi strategjik dhe fondet europiane do të organizoheshin në nivel ndërbashkiak ose rajonal. Ky model anon më shumë drejt ruajtjes ose shtimit të moderuar të numrit të bashkive sesa drejt reduktimit në 46.
Arsyeja është gjeografia e Shqipërisë, territori malor, infrastruktura e pabarabartë dhe dobësimi i përfaqësimit pas vitit 2015.
Por nëse reforma kufizohet te ndryshimi i kufijve, 46 bashki mund të prodhojnë më shumë përqendrim, ndërsa 100 bashki më shumë dobësi financiare.

Arritjet dhe dështimet në reformën aktuale
Ndonëse buxheti i pushtetit vendor është rritur me 212%, ndërsa popullsia e vendit ka rënë me mbi 15%, shkrirja e rreth 340 komunave dhe organizimi i qeverisjes vendore në 61 bashki nuk kanë sjellë përmirësimin e pritshëm të shërbimeve.
Gerta Loku, anëtare e Këshillit Bashkiak të Mirditës, thotë se administrimi vështirësohet nga territori i madh dhe numri i vogël i banorëve. Bashkia e ka të vështirë të investojë në fshatra me më pak se 30 banorë, por mungesa e infrastrukturës nxit largimin e popullsisë dhe pengon familjet e reja të vendosen në këto zona.
E njëjta problematikë shfaqet edhe në Shkodër. Sipas Florian Bjankut, anëtar i Këshillit Bashkiak, qyteti përfiton më shumë vëmendje, ndërsa njësitë administrative, nga Velipoja deri në Theth, trajtohen shpesh si dytësore.
Territori është zgjeruar, por burimet mbeten të kufizuara dhe decentralizimi fiskal nuk është realizuar. Njësitë administrative nuk kanë kapacitete të pavarura financiare apo vendimmarrëse dhe varen nga qendra e bashkisë.
Pabarazia në shërbime ka përshpejtuar boshatisjen e zonave rurale. Pa infrastrukturë funksionale, shërbime publike dhe përfaqësim real në vendimmarrje, shumë komunitete nuk shohin arsye për të qëndruar.
Përfaqësimi formal përmes administratorëve dhe këshilltarëve bashkiakë nuk është gjithmonë efektiv, pasi disa të zgjedhur nuk jetojnë pranë zonave që përfaqësojnë dhe kanë pak bashkëpunim me banorët.
Gjendja e shkollave në njësinë administrative Malzi në Kukës është një shembull i drejtpërdrejtë. Besmiri, mësues biologjie, përshkruan godina me dritare të dëmtuara, mure të çara, ambiente të ftohta dhe mungesë laboratorësh shkencorë e të teknologjisë. Sipas tij, në disa shkolla të ndërtuara përpara vitit 1990 nuk janë bërë ndërhyrje të rëndësishme prej dekadash, megjithëse mirëmbajtja e tyre është përgjegjësi e pushtetit vendor.
Raporti i mazhorancës në Kuvend ka pranuar se reforma territoriale e vitit 2014, përveç konsolidimit dhe rritjes së kapaciteteve financiare, ka pasur edhe problematika të tilla si pabarazia territoriale në rritje.
“Pavarësisht rritjes së përgjithshme të të ardhurave dhe investimeve, diferencat ndërmjet bashkive mbeten të thella: Tirana e vetme mblodhi në vitin 2024 rreth 58% të totalit të të ardhurave të veta vendore, gjashtë bashkitë e tjera të mëdha rreth 19%, ndërsa 54 bashkitë e mbetura vetëm 23%”, thuhet në raportin e qeverisë që shoqëron projektin për reformën territoriale në Kuvend.
Ndërsa të ardhurat për frymë ndryshojnë deri në 28 herë midis dhjetësheve më të pasura e më të varfra të bashkive. Disa bashki kanë arritur autonomi të lartë financiare dhe kapacitet të fortë investues, ndërsa 29 bashki të vogla, ose me bazë të kufizuar fiskale, vazhdojnë të kenë vështirësi për të mbuluar edhe kostot operative.
Kufizimi i dytë lidhet me hendekun midis kompetencës formale dhe ushtrimit real të funksioneve, thotë qeveria. Rreth 40% e bashkive të vogla dhe të mesme nuk arrijnë të mbulojnë me aktivitet buxhetor rreth gjysmën e programeve të lidhura me funksionet e tyre ligjore, ndërsa disa funksione, zhvillimi ekonomik vendor, mbështetja e bujqësisë, mbrojtja e biodiversitetit, mbeten praktikisht “në letër”, me më pak se 1% të zarfit buxhetor vendor.
Kufizimi i tretë ka të bëjë me arkitekturën institucionale nën dhe mbi nivelin bashkiak. Vlerësimi i zbatimit të Ligjit nr. 139/2015 evidenton njësitë administrative si hallkën më të dobët të sistemit, të cilat funksionojnë kryesisht si zgjatime administrative të bashkive, pa kompetenca, burime dhe një rol të mirëpërcaktuar.
Në të njëjtën kohë, edhe roli i këshillave të qarqeve pas reformës mbetet i paqartë dhe me efektivitet të kufizuar.
Kufizimi i katërt është hendeku me standardet europiane: shpenzimet vendore për banor në Shqipëri mbeten shumëfish më të ulëta se mesatarja e BE-së, të ardhurat vendore si peshë e PBB-së janë më të ulëtat edhe në krahasim me Ballkanin Perëndimor, ndërsa formula e transfertës së pakushtëzuar vijon të mbështetet në tregues demografikë të vjetruar që nuk pasqyrojnë Censin 2023./ Monitor







