Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke njoftuar kalimin e Besfort Lamallarit në ekipin e Kryeministrisë dhe emërimin e Ervin Demos në krye të dikasterit.
Rama tha se Demo, i cili deri tani ka drejtuar Ministrinë e Shtetit për Pushtetin Vendor, do të marrë në ngarkim Punët e Brendshme, ndërsa çështjet vendore do të integrohen në strukturën e re të ministrisë.
“Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri. Ndërkohë që Ervini, ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor, do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore”, tha Rama.
Kryeministri e falënderoi Lamallarin për punën e bërë deri tani, duke i uruar vijimin e angazhimit të tij në ekipin e Kryeministrisë.
Nga ana e tij, Lamallari e konsideroi eksperiencën në qeveri si një periudhë të rëndësishme në aspektin profesional dhe personal.
“Faleminderit Kryeministër për të gjithë besimin e dhënë në këto 10 vite. Ndjej që jam rritur jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri, për të kuptuar më mirë edhe njerëzit kur shprehin shqetësimet. Do ta vazhdoj rrugëtimin dhe të jem në krahun tuaj për të gjithë punët e mira që e presin Shqipërinë”, deklaroi Lamallari.







