Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike, me dhjetëra vatra të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 44 vatra zjarri. Prej tyre, 14 janë ende aktive, 9 ndodhen nën monitorim, ndërsa 21 janë shuar.
Qarku i Shkodrës paraqitet si një prej zonave më të prekura. Vatra aktive raportohen në Bardhaj–Myselim, Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit. Në zonën e Bardhaj–Myselimit ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e 71 efektivëve dhe dy helikopterëve.
Problematike mbetet situata edhe në qarkun e Tiranës, ku zjarre aktive janë evidentuar në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit.
Në Dibër vijojnë ndërhyrjet në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë, ndërsa në Lezhë janë aktive vatrat në Gallatë dhe përgjatë aksit Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Sipas autoriteteve, në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Një vatër aktive është shënuar edhe në Vokopolë të Beratit.
Ndërkohë, në qarqet e tjera, përfshirë Korçën, Elbasanin, Vlorën, Durrësin, Fierin dhe Kukësin, situata paraqitet më e stabilizuar, me vatra të shuar ose që vijojnë të mbahen nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 329 efektivë, mjete të ndryshme, si dhe kapacitete ajrore, përfshirë gjashtë operacione me helikopterë, një avion Air Tractor dhe një dron.







