Një krim i rëndë ka tronditur Greqinë, ku një 53-vjeçar shqiptar dyshohet se ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij 44-vjeçare dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës.
Ngjarja ka ndodhur në Rodope, në banesën ku çifti jetonte së bashku. Ata ishin prindër të tre fëmijëve, dy prej të cilëve të rritur dhe një 16-vjeçar. Autoritetet janë njoftuar nga njëri prej fëmijëve.
Pas vrasjes së gruas, 53-vjeçari ka konsumuar karburant në përpjekje për të kryer vetëvrasje. Ai është dërguar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje, policia ka sekuestruar dy thika, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të krimit.
Sipas mediave greke, çifti kishte pasur edhe më herët probleme në marrëdhënien e tyre. Në vitin 2022, në Heraklion të Kretës, ishte regjistruar një incident mes tyre, pas të cilit 44-vjeçarja kishte kallëzuar bashkëshortin për kërcënime.
53-vjeçari ishte arrestuar në atë kohë, por më pas ishte lënë i lirë.






