Aksesi në financim ka qenë prej vitesh një nga sfidat kryesore të fermerëve shqiptarë.
Për t’iu përgjigjur këtij problemi, qeveria prezantoi në qershor të 2025-ës Garancinë Sovrane për sektorin e bujqësisë, një skemë që synonte të lehtësonte aksesin në financim për fermerët.
Instrumenti parashikonte një fond prej 3 miliardë lekësh, ku shteti do të merrte përsipër deri në 70% të garancisë së kredisë, ndërsa fermerët do të merrni kredi me interes 2%.
Qëllimi ishte që bankat të kishin më pak risk dhe fermerët të kishin më shumë mundësi për financim.
Skema synonte të mbështeste investime në sera, mekanikë bujqësore, agropërpunim dhe aktivitete të tjera të lidhura me zhvillimin rural.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi skemën një “hop të madh cilësor” për bujqësinë dhe sipërmarrjen në fshat, duke theksuar se objektivi ishte që fermerët të kishin më shumë mundësi për investime përmes kredive, me kushte më të favorshme.
“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.
Në letër, formula dukej e favorshme: shteti merrte pjesën më të madhe të riskut, fermeri siguronte kredi me kosto të ulët dhe banka kishte një garanci shtesë.
Por në praktikë, fermerët nuk iu drejtuan në masën e pritshme kësaj skeme.
Rezultati nën pritshmëri
Disa muaj pas nisjes, rezultati ishte shumë larg pritshmërive.
Faktoje raportoi më herët se nga fondi prej 3 miliardë lekësh, deri në fund të vitit 2025 u përdorën rreth 366 milionë lekë, ose 12% e shumës totale.
Përdorimi i ulët solli disa muaj më vonë, në korrik të 2026-ës, rishikimin e skemës
Në vend që të mbetej vetëm një instrument i dedikuar për fermerët, qeveria vendosi ta zgjerojë edhe për biznese të tjera, pavarësisht sektorit ku ushtrojnë aktivitetin.
Vendimi i ri
Ky ndryshimi i skemës u formalizua me një vendim të ri të Këshillit të Ministrave më 31 qershor, në të cilin parashikohej një linjë garancie shtetërore me vlerë 5 miliardë lekë për garantimin e huave të bizneseve të vogla në të gjithë sektorët e ekonomisë, si edhe të fermerëve të regjistruar dhe të pajisur me NIPT.
Fakti që skema u zgjerua edhe për bizneset jashtë bujqësisë ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e modelit fillestar dhe arsyet pse ajo nuk arriti të tërhiqte fermerët në masën e parashikuar.
Për të siguruar një qëndrim zyrtar mbi ecurinë e skemës dhe faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e saj, Faktoje.al iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me një kërkesë për informacion.
Pyetjet drejtuar institucionit synonin të sqaronin shkaqet e mosarritjes së objektivit fillestar për rritjen e aksesit të fermerëve në financim, arsyet e zgjerimit të skemës së garancisë sovrane edhe për ndërmarrje jashtë sektorit bujqësor, si dhe vlerësimin e vetë Ministrisë mbi hendekun mes pritshmërive të deklaruara dhe rezultateve të arritura.
Pas dërgimit të kërkesës, Faktoje.al priti afatin ligjor prej 10 ditësh për marrjen e një përgjigjeje, por në mungesë të saj, iu drejtua Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Pas shqyrtimit të ankesës, Zyra e Komisionerit vlerësoi se kërkesa nuk mund të trajtohej në kuadër të ligjit “Për të Drejtën e Informimit”, pasi pyetjet e parashtruara kërkonin analizë dhe vlerësim nga ana e institucionit publik, ndërsa ligji garanton akses vetëm në dokumente dhe të dhëna të regjistruara që mbahen nga autoritetet.
Pse skema nuk arriti te fermerët
Sipas ekspertëve, përgjigjja nuk lidhet vetëm me interesin apo garancinë.
Ilir Pilku, ekspert i lartë i bujqësisë argumenton për Faktoje se një nga problemet kryesore ishte mospërputhja mes mënyrës si funksionon një fermë shqiptare dhe kërkesave të sistemit bankar.
Shumë fermerë kanë aktivitet ekonomik real, por nuk funksionojnë si biznese të formalizuara me bilance, histori financiare dhe dokumentacion të plotë.
Sipas Pilkut, bankat shpesh nuk e konsideruan të mjaftueshëm regjistrimin si fermer dhe kërkuan elementë që zakonisht i kanë bizneset e strukturuara.
“Kjo përjashtoi një pjesë të madhe të fermerëve shqiptarë, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre si fermerë të regjistruar, por jo si subjekte tregtare me kontabilitet të plotë”, vëren Pilku.
Së dyti, sipas tij, bankat nuk kanë ndërtuar ende kapacitetet e nevojshme profesionale për të analizuar ekonominë e një ferme.
“Vlerësimi i një biznesi bujqësor nuk mund të bëhet me të njëjtat kritere si një biznes tregtar apo industrial. Ai kërkon ekspertizë mbi ciklet e prodhimit, sezonalitetin, rreziqet klimatike, produktivitetin, tregjet dhe flukset reale të të ardhurave të fermës. Në mungesë të këtyre strukturave dhe specialistëve, shumë aplikime u refuzuan ose u konsideruan me risk të lartë.
Kjo është një dobësi serioze, sepse bujqësia nuk është thjesht një sektor ekonomik. Ajo është garantuesja e sigurisë ushqimore të vendit, furnizuesja kryesore e popullatës me produkte të freskëta dhe baza e industrisë agro-përpunuese.
Nëse fermerët nuk financohen, atëherë edhe industria e përpunimit përballet me mungesë të lëndës së parë vendase, duke rritur varësinë nga importet”, shton ai.
Bujqësia kërkon më shumë se një skemë kredie
Eksperti i bujqësisë Ervin Resuli e sheh problemin nga një këndvështrim më strukturor.
Sipas tij, bujqësia shqiptare vuan nga nën-investimi kronik: ferma të vogla dhe të fragmentuara, teknologji e vjetruar, mungesë mekanizimi dhe sisteme ujitjeje.
Për këtë arsye, ai argumenton se financimi nuk mund të zgjidhet vetëm me një skemë kredie.
“Garancia ul riskun për bankën, por nuk e bën fermerin të bankueshëm nëse ai mbetet informal dhe pa dokumentacion”, thotë Resuli.
Sipas tij, shumë fermerë përballen me mungesë të titujve të pronësisë, mungesë kolaterali, mungesë historie bankare dhe të ardhura sezonale që nuk përshtaten me kreditë klasike.
“Bujqësia mbetet e nënfinancuar sepse problemi nuk zgjidhet vetëm me garanci shtetërore mbi interesat siç e tregoi edhe skema e fundit, ku kredia për sektorin u rrit minimalisht dhe qeveria u detyrua ta zgjerojë skemën për të gjitha bizneset.
Çfarë duhet të ndryshojë: së pari, formalizimi dhe regjistrimi i fermerëve e konsolidimi i tokës, që të kenë çfarë të ofrojnë si garanci; së dyti, produkte krediti të dizajnuara për bujqësinë, me maturitete dhe këste që ndjekin ciklin e prodhimit; së treti, kombinimi i kredisë me skemat mbështetëse (grante, sigurime bujqësore kundër riskut klimatik) dhe me asistencë teknike, që fermeri të dijë të përgatisë një plan investimi”, vijon Resuli për Faktoje.
Sipas tij, pa këto reforma paralele, çdo skemë financimi rrezikon të mbetet në letër.
Pengesat që e lanë fermerin pa financim
Salim Bana, një fermer nga Peshkopia që punon rreth 5 hektarë tokë dhe ka dhjetra krerë bagëti, thotë se nuk arriti të përfitonte nga skema e garancisë sovrane, pavarësisht se kishte nevojë për financim për aktivitetin e tij bujqësor.
Sipas tij, pengesa kryesore ishin kërkesat e bankës për dokumentacionin dhe garancitë, ndërsa procedurat për aplikimin i dukeshin të ndërlikuara.
“E dëgjova që shteti garantonte një pjesë të kredisë dhe mendova se mund të ishte një mundësi për të investuar në tokë, për të blerë disa makineri që më duhen dhe për të rritur prodhimin.
Unë kam tokën dhe punoj çdo ditë, por kur shkova për të pyetur për kredinë, më kërkuan dokumente dhe garanci që nuk i kisha të gjitha gati. Në fund nuk e vazhdova procedurën, sepse nuk e dija nëse do të arrija ta merrja kredinë dhe nëse do të përballoja gjithë kushtet e saj. Garancia sovrane ishte në letër, por për mua nuk ishte aq e thjeshtë për ta marrë,” shprehet ai.
Për të, problemi nuk ishte vetëm marrja e kredisë, por edhe pasiguria nëse investimi do të mund të përballonte këstin e saj.
Në bujqësi, thotë ai për Faktoje.al, të ardhurat varen nga prodhimi, çmimet e tregut dhe kushtet e motit, ndaj sipas tij, një kredi kërkon një llogari të kujdesshme.
“Për një fermer që merret gjithë ditën me tokën, nuk është e thjeshtë të merresh edhe me banka, plane biznesi e dokumente. Në fund thashë më mirë të mos futem në një borxh që nuk jam i sigurt se mund ta përballoj.
Kur nuk ke një të ardhur të sigurt çdo muaj, e mendon dy herë para se të marrësh përsipër një borxh. Nëse do të kishte më shumë siguri se kredia mund të merrej pa kërkesa që janë të vështira për një fermer, do ta shihja si një mundësi për të investuar më shumë në tokë dhe për të rritur prodhimin”, thotë mandej ai.
Qasje e re ndaj financimit të bujqësisë
I pyetur se çfarë duhet të ndryshojë që kreditimi të japë rezultate për fermerët, edhe Pilku thotë se nuk mjafton krijimi i skemave të garancisë apo subvencionimi i interesit.
Sipas tij, nevojitet një ndryshim në vetë mënyrën se si sistemi financiar e trajton bujqësinë.
“Bankat duhet të ndërtojnë struktura të dedikuara për financimin e sektorit bujqësor. Kjo nënkupton krijimin e një zinxhiri profesional që fillon me bankierët e terrenit, të cilët njohin fermat dhe realitetin rural, vazhdon me specialistë të analizës financiare të sektorit bujqësor dhe përfundon me ekspertë të riskut që janë në gjendje të vlerësojnë saktë potencialin dhe rreziqet e një investimi në bujqësi.
Nuk mund të analizohet një fermë me të njëjtat kritere që analizohen një supermarket apo një kompani ndërtimi.
Së dyti, bankat duhet të zhvillojnë produkte financiare të dedikuara për çdo aktivitet bujqësor.
Bujqësia ka nevoja të ndryshme financimi: kredi afatgjata për investime në sera, mekanikë bujqësore, pemëtore apo blegtori, por edhe kredi afatshkurtra për kapital qarkullues, si blerja e farërave, fidanëve, plehrave kimike, ushqimit për kafshët, karburantit dhe kostove të sezonit. Produktet standarde bankare nuk i përgjigjen ciklit biologjik dhe sezonal të bujqësisë.
Së treti, duhet të ketë një bashkëpunim shumë më të ngushtë ndërmjet sistemit bankar, institucioneve publike dhe shoqata të sektorit bujqësor për edukimin financiar të fermerëve”, argumenton Pilku.
“Zgjerimi i garancisë dobëson efektin e skemës për bujqësinë”
Sipas Ilir Pilkut, zgjerimi i skemës përtej sektorit bujqësor ndryshon edhe vetë natyrën e saj.
“Në momentin që në të njëjtën skemë përfshihen edhe biznese jashtë sektorit bujqësor, ajo nuk mund të konsiderohet më një skemë e dedikuar për mbështetjen e bujqësisë përmes kreditimit të butë dhe garancisë sovrane.
Në praktikë, ajo shndërrohet në një skemë të përgjithshme për mbështetjen e biznesit”, argumenton ai.
Ndonëse shton se zgjerimi i skemës mund të shërbejë si një instrument për mbështetjen e biznesit në tërësi, ai thekson se sektori kërkon politika të dedikuara, produkte financiare të përshtatura dhe institucione që kuptojnë specifikat e aktivitetit bujqësor./ Faktoje.al






