Ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku, i shpallur në kërkim pas një konflikti të ndodhur në një hotel në Dhërmi, ka reaguar publikisht ku pranon se ka fyer kamerierin dhe administratorin e hotelit, për të cilët është raportuar se janë përfshirë në konflikt me të..
Në reagimin e tij, ish-zyrtari pretendon se ngjarja është ekzagjeruar dhe se mënyra se si Policia e Shtetit u angazhua për lokalizimin e tij ka qenë joproporcionale me atë që ai e konsideron një konflikt të rëndomtë.
Por ndërsa Shpataraku e quan reagimin e Policisë të tepruar dhe thotë se aktualisht është i papunë dhe mban një familje prej gjashtë personash, një tjetër element i kësaj historie që ai krijoi ngre pikëpyetje.
Ish-zyrtari thotë se është i papunë, por hoteli ku kishte zgjedhur të qëndronte në Dhërmi ka çmime që arrijnë deri në 600 euro nata në ditët e zakonshme dhe deri në 1100 euro gjatë fundjavave, sipas çmimeve të publikuara për dhoma të kategorive bazë. Pra duke mos përfshirë dhomat me pamje nga deti apo suitat.
Pra, vetëm një natë qëndrimi mund të kushtojë sa një pagë mujore e një punonjësi të Policisë, kolegëve që Shpataraku përmend vazhdimisht në reagimin e tij, ndërsa për një fundjavë fatura mund të kalojë ndjeshëm këtë shumë, madje me gati dyfishin.
Ky kontrast mes deklaratës së Shpatarakut se është aktualisht i papunë dhe kostos së qëndrimit në hotel është një prej pikave që po ashtu kërkon më shumë transparencë mbi rrethanat e ngjarjes.
Çfarë ndodhi pas sherrit?
Pas konfliktit në hotel, u raportua se kamerieri dhe administratori ishin kërcënuar me jetë nga Shpataraku. Në vijim, ish-zyrtari u shpall në kërkim nga policia.
Në vend që të paraqitej menjëherë pranë autoriteteve për të dhënë shpjegimet e tij, Shpataraku u largua dhe u vu në kërkim policor duke iu shmangur cdo mundësie sqarimi të rrethanave të ngjarjes.
Por çfarë do të thotë të shpallesh në kërkim?
Kërkimi policor është një procedurë që përdoret nga autoritetet për lokalizimin dhe kapjen e një personi që kërkohet në kuadër të një procedure ligjore.
Megjithatë, shpallja në kërkim nuk është në vetvete një provë fajësie. Përgjegjësia penale dhe faktet e konfliktit duhet të përcaktohen nga organet kompetente dhe, nëse çështja shkon në gjykatë, nga gjykata.
Nga ana tjetër, pretendimet e Shpatarakut se nuk ka kërcënuar askënd dhe se nuk ka përdorur armë mbeten për t’u verifikuar nga hetimi.
Ish-zyrtari e ka cilësuar reagimin e strukturave të Policisë si të ekzagjeruar, duke argumentuar se forcat dhe kapacitetet operacionale duhet të përqendrohen te krimet e rënda, vrasjet dhe aksidentet rrugore.
Në këtë histori, përtej deklaratave të palëve, mbeten disa pyetje që vetëm hetimi mund t’u japë përgjigje: Çfarë ndodhi realisht në hotelin e Dhërmiut? A pati kërcënim me armë? Pse Shpataraku nuk u paraqit në polici?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve pritet të dalin nga hetimi dhe provat e administruara nga organet ligjzbatuese.







