Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të hënë në seancën e radhës plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektrezolutash që lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura përgjatë vitit 2025.
Në qendër të diskutimeve do të jenë raportet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), si dhe Bankës së Shqipërisë.
Seanca parashikon gjithashtu shqyrtimin e veprimtarisë së një sërë institucionesh të tjera, mes tyre Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Instituti i Statistikave (INSTAT), Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Enti Rregullator i Ujit (ERRU).
Në pjesën përmbyllëse të seancës plenare, deputetët pritet të diskutojnë edhe çështje të ngritura nga qytetarët në zonat që përfaqësojnë, duke adresuar problematikat e evidentuara nga zgjedhësit.








