Friday, July 10, 2026
  • Login
Maska.al
Advertisement
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
Maska.al
No Result
View All Result
Home AKTUALITET

Altin Goxhaj kallëzon në SPAK drejtorin e Policisë së Shtetit, zbardhet drafti i padisë

Redaktor Redaktor by Redaktor Redaktor
in AKTUALITET, KRYESORE
0
Altin Goxhaj kallëzon në SPAK drejtorin e Policisë së Shtetit, zbardhet drafti i padisë
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Avokati Altin Goxhaj ka bërë të ditur se po përgatit një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të cilin e akuzon për “përndjekje të paligjshme dhe të pabazuar në ligj ndaj qytetarëve kundërshtarë të establishmentit politik”.

Përmes një reagimi publik, Goxhaj fton avokatët të kontribuojnë në hartimin e tekstit të kallëzimit, ndërsa u bën thirrje edhe qytetarëve që të hënën, në orën 13:00-13:30, të jenë të pranishëm para SPAK për dorëzimin e tij.

Në draftin e kallëzimit penal, Goxhaj pretendon se deklaratat e bëra më 9 korrik nga drejtori i Policisë së Shtetit, sipas të cilave janë identifikuar mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale që kanë publikuar vlerësime negative ndaj bizneseve shqiptare, nuk mbështeten në një bazë të qartë ligjore.

Sipas tij, Policia nuk ka bërë publik procedimin penal, dispozitën konkrete të Kodit Penal apo bazën ligjore që autorizon identifikimin dhe analizimin masiv të përdoruesve të rrjeteve sociale. Për këtë arsye, ai kërkon që SPAK të verifikojë nëse janë tejkaluar kompetencat ligjore dhe nëse janë cenuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Në kallëzim ngrihen gjithashtu pretendime për mbledhje të paligjshme të të dhënave personale, tejkalim të kompetencave nga Policia e Shtetit dhe përdorim të procedurave hetimore si mjet presioni ndaj protestuesve.

Goxhaj i kërkon SPAK-ut regjistrimin e procedimit penal, sekuestrimin e dokumentacionit përkatës dhe verifikimin nëse identifikimi i mijëra qytetarëve është kryer në përputhje me Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

REAGIMI I PLOTE

Po hartoj KALLZIM PENAL në SPAK ndaj Drejtorit të Policisë Skënder Hitajt për përndjekje të paligjshme dhe të pabazuar në ligj ndaj qytetarëve kundërshtarë të establishmentit politik! Ftoj çdo avokat të kontriboj në tekst dhe ftoj çdo qytetar që ditën e Hënë të vijë në SPAK në orën 13:00-13:30 për të formosur kallzimin penal.
Draft Kallzim Penal
DREJTUAR
PROKURORISË SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR (SPAK)
KALLËZIM PENAL
Kallëzues: Av Altin Goxhaj
Kundër: Skënder Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe për çdo vepër tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit.
________________________________________
I. RRETHANAT E FAKTIT
Më datë 9 Korrik 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi publikisht se Policia kishte identifikuar mbi 10.000 llogari në rrjetet sociale, shumica të krijuara rishtazi, të cilat sipas tij kishin publikuar review negative ndaj bizneseve shqiptare.
Ai deklaroi gjithashtu se:
“Çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit.”
Sipas deklaratës zyrtare, Policia kishte:
• identifikuar mijëra llogari;
• analizuar aktivitetin e tyre;
• krahasuar përmbajtjen e publikimeve;
• kryer verifikime mbi përdoruesit;
• ngritur një grup hetimor.
Megjithatë, në asnjë moment nuk u bë publik:
• procedimi penal konkret;
• numri i procedimit penal;
• dispozita konkrete e Kodit Penal mbi të cilën mbështetet hetimi;
• baza ligjore që autorizon identifikimin dhe analizimin masiv të mijëra përdoruesve të rrjeteve sociale.
________________________________________
II. MUNGESA E BAZËS LIGJORE PËR NDËRHYRJEN E POLICISË
Neni 4 i Kodit Penal parashikon:
“Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është parashikuar shprehimisht me ligj si krim ose kundërvajtje penale. Askush nuk mund të dënohet me një lloj ose masë dënimi të paparashikuar me ligj.”
Ky parim nuk kufizohet vetëm në fazën e dënimit penal.
Ai nënkupton se edhe veprimtaria hetimore e organeve shtetërore duhet të mbështetet mbi ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale konkrete të parashikuar nga ligji.
Në deklaratën publike të Drejtorit të Policisë nuk identifikohet asnjë vepër penale konkrete që justifikon:
• identifikimin masiv të qytetarëve;
• analizimin e aktivitetit të tyre në internet;
• mbledhjen e të dhënave mbi përdoruesit;
• ngritjen e grupit hetimor.
Për rrjedhojë lind dyshimi i arsyeshëm se janë ushtruar kompetenca hetimore pa ekzistuar paraprakisht objekti penal që ligji kërkon.
________________________________________
III. DYSHIME PËR TEJKALIM TË KOMPETENCAVE
Neni 248 i Kodit Penal parashikon:
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.”
Ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka autorizuar ose ka bërë publike kryerjen e një veprimtarie identifikuese dhe verifikuese ndaj mijëra qytetarëve pa bërë publik ekzistencën e bazës ligjore që e autorizon një veprim të tillë.
Nëse rezulton se nuk ekzistonte një procedim penal i regjistruar mbi një vepër penale konkrete ose nuk ekzistonte një dyshim i arsyeshëm për kryerjen e një vepre të tillë, atëherë ekziston dyshimi se kompetencat e Policisë janë ushtruar në kundërshtim me ligjin.
________________________________________
IV. DYSHIME PËR MBLEDHJE TË PALIGJSHME TË TË DHËNAVE
Nga deklaratat publike rezulton se Policia ka identifikuar mbi 10.000 llogari dhe ka analizuar mënyrën e veprimit të tyre.
Nuk është bërë publik:
• me çfarë mjeti teknik është realizuar ky identifikim;
• nëse janë kërkuar të dhëna nga platformat digjitale;
• nëse janë përdorur të dhëna nga operatorët e komunikimeve elektronike;
• nëse janë përdorur mjete të inteligjencës së burimeve të hapura (OSINT);
• nëse është marrë autorizimi procedural i nevojshëm, kur një autorizim i tillë kërkohet nga ligji.
Në mungesë të këtyre elementeve lind dyshimi i arsyeshëm se mund të jenë mbledhur dhe përpunuar të dhëna personale pa një bazë të mjaftueshme ligjore.
Për këtë arsye kërkohet verifikimi i plotë i bazës ligjore mbi të cilën janë ndërmarrë këto veprime.
________________________________________
IV. QËNDRIMI ZYRTAR I VETË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE MBI FUSHËN E ZBATIMIT TË NENIT 143/b TË KODIT PENAL
Një element me rëndësi të veçantë për këtë kallëzim është fakti se vetë shteti shqiptar, nëpërmjet Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), institucion publik i specializuar në luftën kundër mashtrimeve financiare dhe kompjuterike, ka publikuar një udhëzues zyrtar informues me titull “Mbrojtja nga Mashtrimet Kompjuterike”, ku shpjegohet qëllimi dhe fusha e zbatimit të nenit 143/b të Kodit Penal.
Në këtë dokument zyrtar, AIF sqaron se mashtrimi kompjuterik sipas nenit 143/b konsiston në:
“Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t’i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t’i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë.”
Më tej, dokumenti zyrtar i AIF rendit konkretisht format kryesore të mashtrimit kompjuterik që konsiderohen objekt i kësaj dispozite penale, si:
• mashtrimi “phishing”;
• skemat Ponzi;
• skemat e investimeve me kthime të larta;
• “Pig Butchering”;
• “Pump and Dump”;
• komprometimi i email-it të biznesit (BEC);
• mashtrimi nëpërmjet imitimit të mediave sociale dhe telekomunikacionit;
• mashtrimet romantike (“romance scam”);
• mashtrimet e punësimit.
Në asnjë pjesë të këtij materiali zyrtar nuk përmendet:
• publikimi i review-ve negative;
• thirrjet për bojkot ekonomik;
• vlerësimet e koordinuara të bizneseve;
• reputacioni online i subjekteve private;
• apo çdo formë tjetër e ushtrimit të lirisë së shprehjes nëpërmjet publikimit të opinioneve në platformat digjitale.
Ky fakt ka rëndësi të veçantë juridike, sepse tregon se edhe vetë institucionet shtetërore të specializuara, të ngarkuara me parandalimin dhe analizimin e mashtrimeve kompjuterike, nuk e kanë konsideruar kurrë publikimin e review-ve apo fushatat e bojkotit ekonomik si pjesë të fushës së zbatimit të nenit 143/b të Kodit Penal.
Për rrjedhojë, deklaratat publike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas të cilave qytetarët mund të përballen me përgjegjësi penale në kuadër të “krimeve kompjuterike” për shkak të publikimit të review-ve negative, krijojnë dyshime serioze për një interpretim që bie ndesh me mënyrën se si vetë administrata shtetërore e specializuar e ka shpjeguar dhe zbatuar këtë dispozitë.
________________________________________
“Në një shtet të së drejtës, qytetarët kanë të drejtë të mbështeten në interpretimin zyrtar që vetë administrata publike u jep dispozitave penale. Kur një institucion shtetëror i specializuar shpjegon publikisht se neni 143/b ka objekt mashtrimet kompjuterike të natyrës financiare dhe ndërhyrjet në sisteme informatike, ndërsa një autoritet tjetër shtetëror paralajmëron përgjegjësi penale për sjellje që nuk përfshihen në këtë interpretim zyrtar, lind nevoja për të verifikuar nëse është tejkaluar parimi i legalitetit dhe i sigurisë juridike.”
V. DYSHIME PËR PËRDORIMIN E HETIMIT PENAL SI MJET PRESIONI NDAJ PROTESTUESVE
Nga deklaratat publike rezulton se kjo veprimtari është iniciuar menjëherë pas një proteste politike, gjatë së cilës janë bërë thirrje publike për bojkot dhe review negative ndaj bizneseve të caktuara.
Në këtë kontekst, paralajmërimi publik se mijëra qytetarë do të “përballen me forcën e ligjit”, pa bërë publik një referim të qartë ndaj një dispozite penale konkrete, krijon dyshime të arsyeshme se procedurat e identifikimit dhe verifikimit mund të kenë prodhuar një efekt frikësues (chilling effect) ndaj ushtrimit të lirive kushtetuese të protestës dhe të shprehjes.
Kallëzuesi nuk pretendon se kjo përbën fakt të provuar, por kërkon që SPAK të verifikojë nëse procedurat janë përdorur ekskluzivisht për qëllime të ligjshme hetimore apo nëse janë përdorur edhe si instrument presioni ndaj protestuesve.
________________________________________
VI. SHKELJA E KUSHTETUTËS DHE E KONVENTËS EVROPIANE
Neni 17 i Kushtetutës parashikon:
**”1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
2. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
3. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”**
Neni 22 i Kushtetutës parashikon:
**”1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.
4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit.”**
Veprimet e mësipërme duhen verifikuar edhe në raport me nenet 7 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë respektivisht parimin “nuk ka vepër penale dhe dënim pa ligj” dhe lirinë e shprehjes.
________________________________________
VII. KËRKESAT
Për sa më sipër kërkoj:
1. Regjistrimin e këtij kallëzimi penal.
2. Fillimin e hetimeve për të verifikuar nëse janë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal ose të çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit.
3. Sekuestrimin dhe administrimin të:
o procedimit penal (nëse ekziston);
o urdhrit për fillimin e verifikimeve;
o çdo kallëzimi të paraqitur nga subjektet private;
o çdo akti të Policisë së Shtetit mbi bazën e të cilit janë identifikuar mbi 10.000 llogari;
o çdo kërkese drejtuar platformave digjitale ose subjekteve të tjera për marrjen e të dhënave të përdoruesve.
4. Verifikimin nëse identifikimi dhe analiza e mijëra qytetarëve është kryer mbi bazën e një procedure penale të regjistruar dhe në përputhje me garancitë kushtetuese dhe procedurale.
5. Verifikimin nëse veprimet e Policisë kanë qenë proporcionale, të nevojshme dhe të mbështetura në një bazë të qartë ligjore, apo nëse ato kanë prodhuar një ndërhyrje të pajustifikuar në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së protestës.
6. Administrimin si provë të deklaratës publike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe të materialit shpjegues të Agjencisë së Inteligjencës Financiare mbi nenin 143/b të Kodit Penal.
Previous Post

Antimafia italiane shkatërron rrjetin e trafikut të drogës me lidhje shqiptare, 23 në pranga

Next Post

Në kurth edhe një polic, zbardhet skema e dyshuar e shantazhit pas rastit të 17-vjeçares në Fier

Next Post
Në kurth edhe një polic, zbardhet skema e dyshuar e shantazhit pas rastit të 17-vjeçares në Fier

Në kurth edhe një polic, zbardhet skema e dyshuar e shantazhit pas rastit të 17-vjeçares në Fier

Tender me “garë” pa garë në Lezhë? Eliminohen të gjithë operatorët, shpallet fitues “DRINI A”
AKTUALITET

Tender me “garë” pa garë në Lezhë? Eliminohen të gjithë operatorët, shpallet fitues “DRINI A”

by Redaktor Redaktor
July 9, 2026
0

Një tjetër procedurë prokurimi në Bashkinë Lezhë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është zhvilluar gara, pasi dokumentet...

Read moreDetails
Skandal në Fier/ Tre adoleshente dhunojnë dhe filmojnë bashkëmoshataren e tyre

Skandal në Fier/ Tre adoleshente dhunojnë dhe filmojnë bashkëmoshataren e tyre

July 7, 2026
Si ndodhi sherri në Bllok, Nadir Çausholli i CFO Pharma vuri një karikues elektrik…

Si ndodhi sherri në Bllok, Nadir Çausholli i CFO Pharma vuri një karikues elektrik…

July 6, 2026
Si po dështon sezoni turistik në Himarë! Vangjel Tavo doli edhe mbi qeverinë, shteti hesht

Si po dështon sezoni turistik në Himarë! Vangjel Tavo doli edhe mbi qeverinë, shteti hesht

July 6, 2026
Video-skandali/ Nadir Çausholli i “CFO Pharma”, sherr me grushta në mes të Bllokut. Kallëzohet për kanosje

Video-skandali/ Nadir Çausholli i “CFO Pharma”, sherr me grushta në mes të Bllokut. Kallëzohet për kanosje

July 6, 2026
Facebook TikTok
Maska.al

Maska.al

Tel: 0696118290
Email: [email protected]

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

Në kurth edhe një polic, zbardhet skema e dyshuar e shantazhit pas rastit të 17-vjeçares në Fier

Në kurth edhe një polic, zbardhet skema e dyshuar e shantazhit pas rastit të 17-vjeçares në Fier

July 10, 2026
Altin Goxhaj kallëzon në SPAK drejtorin e Policisë së Shtetit, zbardhet drafti i padisë

Altin Goxhaj kallëzon në SPAK drejtorin e Policisë së Shtetit, zbardhet drafti i padisë

July 10, 2026

© 2023 Maska.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit

© 2023 Maska.al