Alfredo Hamazi dhe Luçiano Koçeku (alias Artur Koçeku) janë dy ‘kokat’ e grupeve kriminale të goditura nga SPAK e të përfshira në aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike e të pastrimit të parave. Nga dosja hetimore që VNA disponon, rezulton se Koçeku dhe Hamzai kanë një ndërveprim të fortë, duke ndihmuar njëri-tjetrin në trafikun e kokainës, pastrimin e parave dhe për krahun e punës në laboratorë në Ekuador.
Në kuadër të hetimeve ndaj këtyre personave, të cilët dyshohen se kanë pastruar në Shqipëri të ardhura të përfituara nga trafiku i narkotikëve, në dosjen e SPAK përmendet edhe emri i biznesmenit Samir Mane.
Sipas SPAK, në shtator të vitit 2020, Alfredo Hamzai dhe Adrian Rama kanë komunikuar në telefon lidhur me projektin e ndërtimit të një kompleksi vilash dhe apartamentesh në zonën e Palasës. Po ashtu, hetuesit kanë zbardhur komunikime mes personave nën hetim Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku, ku diskutohet për të njëjtin projekt.
“Në datën 30.01.2021, Luçiano Koçeku (alias Artur Koçeku) shkruan se i ka thënë “Lirit” (dyshohet se mund të bëhet fjalë për Ilir Shtufin) të shkojë të takojë “Zamirin” (dyshohet se bëhet fjalë për Samir Mane) për të diskutuar për ndërtimin për tokën. Nga fotot e shkëmbyera në bisedë, provohet fakti se dy shtetasit komunikojnë lidhur me tokat në Palasë”, thuhet në dosje.
Më tej, SPAK evidenton një tjetër komunikim mes Hamzait dhe Koçekut, ku flitet për dhënien e një shume parash që varionte nga 2 deri në 3 milionë euro biznesmenit Samir Mane, me qëllim sigurimin e një lejeje ndërtimi për projektin rezidencial. Sipas prokurorëve, si ndërmjetës i mundshëm në komunikimet mes Samir Manes dhe personave nën hetim dyshohet të ketë shërbyer biznesmeni Ilir Shtufi.
“Sipas komunikimit, shtetasit kanë planifikuar ndërtimin e rreth 30 vilave dhe një hoteli. Ndërmjetës në këtë komunikim me shtetasin Samir Manë, dyshohet të jetë biznesmeni Ilir Shtufi”, thuhet në dosje.
Në një tjetër bisedë të muajit shkurt 2021, SPAK evidenton se Luçiano Koçeku (alias Artur Koçeku) i ka komunikuar Alfredo Hamzait se Samir Mane kishte kërkuar 3 milionë euro për përfshirjen e tokës së këtij të fundit në projekt.
“Në bisedën e datës 24.02.2021, personi nën hetim Luçiano Koçeku (alias Artur Koçeku) i shkruan personit nën hetim Alfredo Hamzai se ka folur me Lirin (Ilir Shtufi) dhe me Zamirin (Samir Mane), dhe ky i fundit i ka thënë se do tre milionë euro që ta përfshijë tokën e Alfredo Hamzait në kompleks”, thuhet në dosjen e SPAK.
Sipas të njëjtës dosje, në një komunikim tjetër të zhvilluar gjatë shkurtit 2021, evidentohet se personat nën hetim kishin vendosur të zgjidhnin opsionin e pagesës prej 3 milionë eurosh për përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në kompleksin “Green Coast”.
“Nisur nga fakti se personi nën hetim Luçiano Koçeku (alias Artur Koçeku) shprehet se “mund të na kërkojë 1 mil cash tjera shpia Zamiri”, dyshohet se tashmë këtij të fundit i është dhënë një shumë parash, që dyshohet se mund të jetë 1 milionë euro. Nga analiza e bisedës, arrihet në përfundim se marrëveshja me Samir Mane është që ky i fundit të marrë pagesën prej tre milionë euro dhe do kryejë ndërtimin e 40 vilave, nga të cilat 20% do t’i jepen personit nën hetim Alfredo Hamzai. Sa i përket hotelit, Luçiano Koçeku (alias Artur Koçeku) shprehet se e ka kërkuar hotelin me 120 dhoma dhe do të jetë i këtij të fundit dhe Hamzait”, thuhet në dosje.







