Për të ushtruar trysni ndaj Iranit për pranimin e një marrëveshjeje për paqe, Shtetet e Bashkuara e vendosën më 13 prill një bllokadë detare ndaj porteve dhe anijeve të vendit të Lindjes së Mesme.
Derisa bllokada e ka rritur trysninë mbi ekonominë tashmë të dëmtuar të Iranit, ajo nuk ka arritur deri tani ta detyrojë Teheranin të bëjë lëshime për t’i dhënë fund luftës që nisi para rreth dy muajve, thonë ekspertët.
Irani nuk po pranon të ulet në tryezën e bisedimeve pa u hequr bllokada detare nga SHBA-ja, qëllimi i të cilës është t’ia ndalë Teheranit të ardhurat fitimprurëse nga nafta.
Uashingtoni ka këmbëngulur se bllokada do të përfundojë vetëm kur të nënshkruhet një marrëveshje paqeje.
Kjo bllokadë amerikane erdhi si përgjigje ndaj vendimit të Iranit për ta mbyllur të Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me energji dhe për transportin ndërkombëtar detar, dhe është në fuqi që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.
Ky veprim ka tronditur tregjet ndërkombëtare, ka përmbysur ekonominë globale dhe i ka dhënë Teheranit një levë të re në luftë.
“Nëse qëllimi kryesor i bllokadës është të ndalojë trafikun detar drejt dhe nga Irani, dhe mbi të gjitha rrjedhën e eksporteve iraniane të naftës, atëherë bllokada ka qenë e suksesshme”, tha Nader Itayim, ekspert për energjinë në Lindjen e Mesme.
“Por, nëse Uashingtoni pret që bllokada ta vendosë shpejt Iranin në një pozicion ku nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të negociojë, atëherë mund të zhgënjehet”, shtoi Itayim, i cili punon në Argus Media me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Rënia e qartë” e eksporteve iraniane të naftës
Irani eksportonte rreth 1.8 milionë fuçi naftë në ditë në mars. Por, kjo shifër ka rënë ndjeshëm në ditët e fundit, duke u kthyer në një “rrjedhë minimale” ndërsa efektet e bllokadës janë rritur, tha Itayim.
Megjithatë, ai tha se republika islamike duhet të jetë në gjendje ta përballojë bllokadën edhe për dy muaj të tjerë, duke theksuar se deri në 130 milionë fuçi naftë iraniane ndodheshin në det para se bllokada të hynte në fuqi.
Për ta zbatuar bllokadën, marina amerikane e sulmoi dhe e kapi një anije iraniane më 19 prill në Gjirin e Omanit. Dy ditë më vonë, ushtria amerikane kapi një anije tjetër, një cisternë e dyshuar për kontrabandë nafte, në Oqeanin Indian.
Forcat amerikane gjithashtu “kanë urdhëruar 31 anije të kthehen mbrapsht ose të rikthehen” në portet iraniane si pjesë e bllokadës, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur bllokadën si “sukses të jashtëzakonshëm” dhe ka përsëritur se nuk do ta heqë embargon derisa të arrihet një “marrëveshje përfundimtare” me Iranin.
Ushtria amerikane ka pretenduar se e ka “ndalur plotësisht” tregtinë iraniane.
Megjithatë, dhjetëra cisterna të lidhura me Iranin kanë arritur ta anashkalojnë bllokadën, sipas grupit për vëzhgimin e ngarkesave, Vortexa.
Vortexa tha se të paktën 34 cisterna të lidhura me Iranin e kanë shmangur bllokadën, duke shtuar se rreth 10.7 milionë fuçi naftë iraniane kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe kanë dalë nga zona e bllokuar nga marina amerikane midis 13 dhe 21 prillit.
Ushtria amerikane i hodhi poshtë këto të dhëna. Kompania e të dhënave detare, Lloyd’s List, tha se të paktën 26 anije të flotës “në hije” të Iranit e kanë kaluar bllokadën.
“Lloyd’s List Intelligence tregon një rrjedhë të qëndrueshme të trafikut të flotës në hije brenda dhe jashtë” Gjirit Persik, tha ajo më 20 prill.
“Krahasuar me numrin e anijeve që kalonin para bllokadës – rreth gjashtë ose shtatë anije në ditë – tani numri është qartazi më i ulët”, tha Rosemary Kelanic, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme në Defense Priorities, një institut kërkimor në Uashington.








