Janë publikuar pamjet nga momenti i arrestimit të Vilson Pepës, 40-vjeçarit që u kap në Republikën Dominikane, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja
Siç shihet nga pamjet, përveç prangave në duar, shihet teksa ka edhe zinxhir në këmbë, ndërsa shoqërohet nga forcat e Interpol. 40-vjeçari mbante në kokë edhe një helmetë dhe jelek antiplumb.
Sipas mediave vendase, Vilson Pepa u ndalua më 3 shtator në Santo Domingo. 40-vjeçari, i njohur edhe si Soni Pepa, rezulton i përfshirë me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, 600 kg prej të cilave u sekuestruan në Roterdam të Holandës midis 7 dhe 8 nëntorit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kg të tjerë në të njëjtin qytet.
Ngarkesa e përmendur u nis nga porti i Villetas, në Paraguai, me destinacion portin e Antverpit, në Belgjikë. Në momentin e ndalimit, 40-vjeçarit iu gjetën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane si dhe pesë telefona celularë të koduar dhe para në dorë.








