Një nga kriminelët më të rrezikshëm dhe të kërkuar në Suedi, Ismail Abdo, është arrestuar në Turqi gjatë një operacioni të madh policor ku u sekuestruan mbi 1 ton drogë dhe pasuri me vlerë rreth 38 milionë dollarë.
I njohur me nofkën “Luleshtrydhja” (The Strawberry), 35-vjeçari është lideri i bandës famëkeqe Rumba, e cila është e përfshirë në një valë dhune dhe trafiku droge që ka tronditur qytetet suedeze dhe ka çuar në përplasje të armatosura mes grupeve rivale.
Abdo, me shtetësi të dyfishtë suedeze dhe turke, është nën hetim prej vitesh për trafik të organizuar droge dhe nxitje të krimeve të dhunshme. Ai ishte objekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Interpol, ndërsa besohet se ka drejtuar aktivitetet kriminale nga jashtë vendit.
Arrestimi i tij ndodhi gjatë një serie bastisjesh në Turqi, ku autoritetet sekuestruan gjithashtu 20 automjete luksoze, 51 prona, llogari bankare dhe pasuri të tjera. Së bashku me të, u ndaluan edhe 18 persona të tjerë, ndërsa ndaj 21 të tjerëve janë lëshuar urdhër-arreste.
Bandat kriminale në Suedi janë përfshirë në një luftë të egër për territore, ku përplasja më e ashpër ka qenë mes grupit Rumba dhe rivalëve të tyre, banda Foxtrot, e udhëhequr nga dikur miku i ngushtë i Abdos, Rawa Majid. Dhuna mes tyre kulmoi në vitin 2023 kur nëna e Abdos u vra në shtëpinë e saj në qytetin Uppsala.