Likuidim i pasurive të shtetit në favor të oligarkëve, ky është misioni shoqërisë “Petrol Alba” SHA, në varësi të ministrit të Ekonomisë, Blendi Gonxhe. Vini re grafikun më poshtë që tregon situatën financiare të saj shoqërie:
Si ka mundësi që një shoqëri që shet çdo vit pasuritë e saj me vlerë miliarda lekë, ka krijuar një humbje 5 miliardë lekë për shtetin? Këtë do ta shpjegojmë më poshtë. Ndërmarrje, kombinate, HEC-e, TEC-e dhe Distributor Karburantesh, me status aktiv prodhimi energjie elektrike dhe depozitim e shitje hidrokarburesh po shiten me vlera qesharake. Kjo shoqëri u themelua në 2008 jo me qëllimin për t’u falimentuar, por për të rigjallëruar ekonominë. Ishte përzgjedhur shoqëria e konsulencës “Patton Boggs” e cila deri në fund të muajit tetor 2007 do realizonte përgatitjen e dokumentacionit me informacionin e nevojshëm për investitorët të cilët do të shfaqnin interes dhe që ishin potencialisht të mundshëm që të merrnin pjesë në privatizimin e kompanisë. Ajo që ndodhi më vonë, me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, nën menaxhimin e Arben Ahmetajt dhe së fundmi të Blendi Gonxhes, quhet “likuidim”. Gonxhe me ardhjen në krye të Ministrisë së Ekonomisë kishte plan të qartë përvetësimi. Pasi largoi Ilir Zelën, ministri Gonxhe (përmes këshillit mbikqëqyrës) vendosi likuidatorin Islam Mana, që po i jep shkelmin e fundit pasurisë shtetërore.
Pëllumb Beta merr truallin 50 mijë m2 të Rafinerisë së Cërrikut
Më datë 17 shkurt 2025 është publikuar procedura “Ankand i hapur”, me objekt “Shitje të pasurive të Shoqërisë në Cërrik”, me sipërfaqe totale 48 150 m2, në pronësi të “PETROL ALBA” SHA në likujdim”, me vlerë fillestare 31.266.135 lekë. Ankandi është zhvilluar në 12 mars 2025.
Likuiduesi i Gonxhes ka përfunduar vlerësimin e ofertave dhe ka rezultuar renditja si më poshtë:
- Shoqëria “Alb Buliding” ShPK, kualifikuar;
- Shoqëria “DEHA 2010” ShPK, kualifikuar
- Individi Gerti Shanaj, skualifikuar
- Individi Antion Dollani, skualifikuar
Më tej është vazhduar me propozimin ekonomik të kandidatëve blerës, ku në përfundim rezultoi renditja: 1. Shoqëria “Alb Buliding” ShPK e pronarëve Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha me vlerë oferte 35 080 603 lekë; 2. Shoqëria “DEHA 2010” ShPK me propozimin 34 442 774 lekë.
Por ankandi i Gonxhes duket i bllokuar për momentin, sepse bëhet fjalë për një truall të madh ndërtimi dhe dikush në zyrat e shtetit ka frikë nga burgu.
Ankandi denoncohet në KPP
Në mbledhjen e datës 24 qershor 2025, Komisioni i Prokurimit Publik i dha goditjen e dytë ankandit për truallin e Rafinerisë së Naftës, duke i dhënë sërish të drejtë njërit prej qytetarëve që ka bërë denoncimin.
Këtë radhë ishte “Petrol Alba” që kishte bërë “Kërkesë për rishikimin e vendimit të datës 10 qershor 2025, për procedurën e ankandit publik me objekt “Shitje të pasurive të Shoqërisë në Cërrik, me sipërfaqe totale 48 150 m2, në pronësi të “PETROL ALBA” SHA në likujdim”.
Në datën 20 mars 2025, titullari i autoritetit shitës “PETROL ALBA” SH.A zoti Mana kishte nënshkruar “FORMULARIN E NJOFTIMIT TË FITUESIT”, ku rezulton se Shoqëria “ALB BUILDING” ShPK është shpallur fitues i procedurës së ankandit. Ndërsa në datën 17 mars u është kthyer formalisht përgjigje ankesave të ofertuesve të skualifikuar, Gerti Shanaj dhe Andi Dollani.
Kjo i hapi rrugë denoncimit në KPP të pretendentëve blerës që kundërshtojnë vendimin e njeriut të Gonxhes. Më 18 mars 2025 është regjistruar ankesa e kandidatit blerës Gerti Shanaj.
“Pikë së pari, nga ana e komisionit të ankandit jam skualifikuar pa të drejtë. Nga ana ime është paraqitur i gjithë dokumentacioni me kriteret që janë në ligjin e ankandit publik, përfshirë deklaratën e të ardhurave në tatime për vitin 2024, e cila nuk u mor parasysh nga ana e komisionit të ankandit dhe vendosën të më skualifikonin nga gara, pasi e quajtën të pavlefshme deklaratën mbi të ardhurat personale të vitit 2024, pasi ata quanin të vlefshme deklaratën e viteve 2021, 2022 dhe 2023 dhe jo vitin 2024. Ky fakt më bën të dyshoj që skualifikimi im është i qëllimshëm, i padrejtë dhe i paramenduar nga komisioni ankandit, ashtu siç vepruan edhe në datë 26 dhjetor 2024 për të njëjtin objekt shitje. pasi hapën zarfat dhe vërejtën mungesën e vendimit të ortakut në ofertuesit e parapëlqyer nga komisioni (Albbuilding). Unë, shoqëria “Gerti Metal”, isha i vetmi ofertues me dokumentacion të rregullt, por komisioni i ndikuar nga eprorët vendosi fillimisht shtyrjen e ankandit dhe në datë 30 dhjetor 2024, anulimin e ankandit me urdhër nga likuidatori …” citojmë denoncimin e qytetarit Gerti Shanaj.
Në datë 10 qershor 2025, Komisioni i Prokurimit Publik mori vendimin “Të pranojë pjesërisht ankesën e paraqitur nga kandidati blerës Gerti Shanaj, të urdhërojë “Petrol Alba” të rishikojë arsyen e skualifikimit dhe të konstatojë absolutisht të pavlefshëm shpalljen e fituesit”.
Po ashtu, KPP vendosi që t’i propozojë Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e hetimit administrativ për komisionin e ankandit dhe titullarin e autoritetit kontraktor.
Me një arrogancë të pashembullt, më 24 qershor, likuidatori i Gonxhes i kërkon KPP të “rishikojë vendimin”. Të ishte një moment tjetër, kryetari i KPP, Jonaid Myzyri, nuk do t’ua prishte pazarin Blendi Gonxhes me “Alb Building”, por tashmë që është marrë i pandehur nga SPAK, nuk do t’i shtojë më fletë dosjes së tij.
Ndërhyrja e Blendi Gonxhes natën e Vitit të Ri
Qytetari Shanaj me pjesëmarrjen e tij në këtë ankand ka ngacmuar interesa të mëdha, sepse Pëllumb Beta ka prapa ministrin. Kjo vërtetohet nga ngjarjet e ndodhura natën e Vitit të Ri me ankandin.
Në datën 23 dhjetor 2024 është publikuar pёr herё tё katёrt në Buletinin e Njoftimeve Publike Nr. 87, procedura e ankandit publik “Shitje të pasurive të Shoqërisë: Nr.13/50, në Zonën kadastrale 2441 Volumi 9, Faqe 187 dhe Nr.13/51, në Zonën kadastrale 2441 Volumi 9, Faqe 188, Cërrik, me sipërfaqe totale 48 150 m2, në pronësi të “PETROL ALBA” SHA në likuidim”, me vlerë fillestare 31.266.135 lekë, por me afat të fundit kohor për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje më 26 dhjetor 2024, ora 10:00.
Në këtë ditë kanë marrë pjesë në ankand “Alb Building” SHPK, “Gerti Metal” SHPK, “Fire Profestion” SHPK, “Ndricim Boshnjaku”, “Deha” SHPK ,“Antion Dollani”. Sqarojmë se kompania “Gerti Metal” është pronë e Gertti Shanajt.
Nga hapja e ofertave rezultuan këto proporime:
“Antion Dollani” 31.267.135 lekё pa TVSH, “Ndricim Boshnjaku” 31.266.135 lekё pa TVSH, “Fire Profestion” SHPK31.266.135 lekё pa TVSH, “Alb Building” SHPK 31.891.458 lekё pa TVSH ,“Gerti Metal” SHPK 31.300.000 lekё pa TVSH, “Deha” SHPK 31.266.135 lekё pa TVSH.
Sipas procesverbalit, tё ndodhur nё kushtet kur shumicёs sё Komisionit tё Ankandit “i nevojitej mё shumё kohё” pёr shqyrtimin e ofertave, komisioni vendosi qё ankandi tё shtyhet pёr nё datёn 30 dhjetor 2024 nё Ministrinё e Ekonomisë Kulturёs dhe Inovacionit, duke patur dakortёsinё e palёve.
Nё datёn 30 dhjetor 2024 pjesёmarrёsve iu komunikua anulimi i ankandit. Nё datёn 31 dhjetor 2024 nё Buletinin e Njoftimeve Publike tё APP-sё nr.92, u publikua njoftimi pёr anulimin e procedurёs sё ankandit.
“Veprimet e Kryetares sё komisionit tё ankandit dhe Likuidatorit Z. Islam Mana tё shoqёrisё Petrol Alba Sh.a. nё likuidim, krijojnё dyshimin e arsyeshёm pёr shkelje tё Ligjit tё Ankandit Publik, VKM Nr.1719, datё 17.12.2008, tё nenit 248 tё Kodit Penal (shpёrdorimi i detyrёs), nenit 245/1 (ushtrim i ndikimit tё paligjshёm), dhe tё nenit 258 Shkelja e barazisё nё tendera apo ankande publike) duhet tё rishikohen”, do të ankohej Gerti Shanaj në KPP.
“Autoriteti ka anuluar ankandin pa dhёnё njё shpjegim tё bazuar nё ligj. Diskriminim dhe trajtim i pabarabartё: Kompania jone ka plotёsuar tё gjitha kriteret dhe ka tё drejtё ligjore tё shpallet fituese. Anulimi ka dёmtuar tё drejtёn e kompanisё sonë pёr njё proces tё drejtё dhe tё hapur”, vazhdonte denoncimi i Shanajt në 13 janar 2025 dërguar KPP-së.
“Në datën 26 janar 2024, ora 10:00, në ambientet e MEKI, procedura u zhvillua me pjesëmarrjen e 6 ofertuesve, ku 3 prej tyre u skualifikuan për mungesë dokumentacioni të cilët u larguan së bashku me ofertat e tyre pasi mësuan këto mungësi. Në garë mbetën ofertuesit si më poshtë: Gerti Metal Sh.p.k. Alb-Building DEHA 2010.
Kërkoj gjithashtu çdo dokumentacion që evidenton bazën ligjore të anulimit të ankandit nga Likuidatori Z.I.M., pasi jam mëse i bindur në veprimet e tij kompromentuese që bien në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi, si dhe me nenin 13 të Ligjit Nr. 9874, datë 14.02.2008 i ndryshuar ku ai mund të pretendojë se e anulon ankandin për interesin publik duke e keqinterpretuar në mënyrë flagrante këtë nen. Ju vë në dijeni se Z.Islam Mana e ka anuluar këtë procedurë ankandi edhe më parë, pasi e kishte shpallur atë 3 herë radhazi”.
Çështja që është e gatshme për SPAK-un nuk e shqetësoi Myzyrin në atë kohë, prandaj kërkesa e Shanajt nuk u pranua nga KPP.
Punonjësit dy vjet pa marrë pagat, Gonxhe bën pazar me pasuritë e ndërmarrjes
“Petrol Alba” është shembulli më pastër që tregon pangopësinë e qeveritarëve si Blendi Gonxhe që po shesin gjithçka në këtë vend, por edhe mungesën e humanizmit. Duke ndjekur këtë histori korrupsioni mësuam se 150 punonjësit e “Petrol Alba” kanë mbi 2 vjet pa marrë pagat. Këtë nuk e kemi nga ankesat e punonjësve, as nga fjalë të pakonfirmuara, por nga vetë likuiduesi Islam Mana. Duke dashur të bëjë “të ndjeshëm” anëtarët e KPP që të rishikonin anulimin e ankandit, në shkresën e tij, shkruan: “Barra konkrete e këtyre zvarritjeve po bie mbi 150 punonjësit (aktualë dhe të larguar), të cilët kanë paga të akumuluara (mbi 2 vjet në vlerë totale). GJITHSEJ = 42,452,700 LEKE të pamarra ende”.
Mesazhi i Likuiduesit është që “na lini ta mbarojmë këtë pazar, se kemi edhe punonjësit pa marrë rrogat”. Në fakt edhe pala tjetër që, me sa duket është skualifikuar pa të drejtë, do t’i jepte shtetit paratë, madje një shumë më të madhe në vlerë absolute.
Por shqetësimi i Islam Manës nuk janë punonjësit. Synimi i tij është të çojë në vend porosinë e shefit të tij për t’ia dhënë truallin Pëllumb Betës.
“Alb Building”, është një kompani favorizuar vazhdimisht në tenderët publikë dhe projektet e Rindërtimit, megjithëse bën punë pa cilësi.
Në vitet e fundit, ajo ka përfituar mbi 70 milionë euro nga fondet shtetërore, ndërsa është ndëshkuar edhe për shkelje të ligjit për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Kompania është ndërtuesja e mbikalimit pranë TEG-ut në Tiranë, i cili u përmbyt pas reshjeve të para dhe solli pasoja të rënda në qarkullimin urban.
Një histori zhvatjeje që nisi me projekte dhe mbaroi për skrap
Ish-rafineria e naftës në Cërrik, e ndërtuar me ndihmën sovjetike në vitet ’50 dhe funksionale deri në 1992, në vitin 2008 iu shkëput ARMO-s dhe iu kalua shoqërisë së re “Petrol Alba”. Më pas, rafineria iu dha me koncesion kompanisë turke “Kurum” nga qeveria Berisha në korrik 2013, vetëm pak ditë para largimit nga pushteti. Kontrata parashikonte rivënien në punë të rafinerisë përmes një investimi prej 48 milionë eurosh. Por asnjë investim nuk u bë.
Përkundrazi, vetëm një muaj pas marrjes në dorëzim, “Kurum” krijoi kompaninë “Albanian Oil Rafinery”, e cila në tetor 2013 nisi çmontimin dhe shitjen për skrap të rafinerisë.
Sipas një raporti të KLSH-së, shkrirja e rafinerisë u bë në mënyrë të paligjshme, pa miratimin e Ministrisë së Energjisë dhe në konflikt të hapur interesi, pasi skrapi u shit nga kompania bijë te kompania mëmë, të dyja nën kontrollin e “Kurum”. Sot, Ministria kërkon 1.5 milionë euro si dëmshpërblim dhe çështja nuk është mbyllur ende.
“Petrol Alba” shoqëria që fsheh privatizimet e paligjshme
“PETROL ALBA” sha, nga një shoqëri e ngritur për zhvillim strategjik të sektorit të naftës, u kthye në gropën e madhe për buxhetin e shtetit. Kompania kishte 7 filiale ose Degët e Shpërndarjes se Karburanteve (D.SH.K.) në rrethet: Tiranë, Laç, Lushnjë, Elbasan, Pogradec, Gjirokastër dhe Sarandë. Kjo shoqëri ka në përbërje te kapitalit te saj edhe ish Uzinën e Rafinerisë së Naftës Cërrik. e cila i është shtuar kapitalit te shoqërisë PETROL ALBA sh.a sipas Urdhrit nr. 854 datë 31.10.2011 të Ministrit te Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Gjithashtu me urdhrin nr.756 datë 11.10.2011 të Ministrit te Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës janë kaluar në administrim të shoqërisë PETROL ALBA sh.a TEC-et Tiranë, Korçë, Maliq, Cërrik, Kuçovë dhe Vlorë ku vlera e tyre dhe e gjendjes së magazinës është pasqyruar si llogari jashtë bilancit.
Gjatë qeverisjes së Ramës, kjo shoqëri do të shfrenohej në korrupsion duke i shitur pasuritë për një copë bukë. Kujtojmë HEC i Gjinarit ka dalë në ankand në 2017 për 1.2 milionë lekë, HEC i Hormovës 1.5 milionë lekë, HEC i Qarishtës për 1.9 milionë lekë. Distributori i karburantit në Laç shitet për 1.5 milionë lekë.
Në vitin 2020, “Ish-depo e shpërndarjes së karburantit” në Pogradec në pronësi të shoqërisë “PETROL ALBA ” SHA u shit për 27,741,178 lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të nxirrte në shitje TEC-in e Korçës vetëm dy javë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Një nga pasuritë më të mëdha të ekonomisë dhe energjetikës shqiptare do të shitej për 31 milionë lekë së bashku me qindra hektarë tokë mbi të cilën u ndërtua në kohën e monizmit.
Tashmë, nën drejtimin e Blendi Gonxhes pritet të likuidohet gjithçka që është pronë e shtetit dhe të kalojë në duart e oligarkëve. Në radhë janë shoqëritë Nimeks, Berateks, Kombinati Energjetik, Bursa e Tiranës, Shpërndarja e Librit Shkollor, që vitin e kaluar kanë kaluar në pronësi tek “Petrol Alba” e Gonxhes.