Në një vizitë në shtëpinë e Jolanda Ndreut, një prej të përndjekurve nga regjimi komunist, kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi, theksoi se nuk do të ketë më të persekutuar të harruar në Shqipëri.
“Situata e të përndjekurve politikë është ajo që ka qenë përpara 34 vitesh,” – tha Ndreu, e cila prej dekadash jeton me pasojat e burgimit dhe internimit.
Por Jupi siguroi se kjo padrejtësi historike do të marrë fund, duke prezantuar një plan të qartë dhe të detajuar për trajtimin dinjitoz të kësaj shtrese.
Në fokus të këtij plani janë:
Pajisja me status të plotë për të gjithë të pushkatuarit, të burgosurit dhe të internuarit politik.
Trajtim financiar i barabartë me ish-ushtarakët.
Përmbyllja e shqyrtimit për mbi 2000 dosje të mbetura pezull.
Mbështetje për Institutin e Kujtesës Kombëtare dhe rishikim të teksteve shkollore mbi bazë shkencore dhe arkivore.
Promovimi i librave të ndaluar dhe dorëshkrimeve të papublikuara të autorëve të përndjekur.
Krijimi i një Muzeu Kombëtar të Kujtesës dhe transformimi i kampeve të Spaçit, Qafë-Barit dhe Tepelenës në vende kujtese.
Rikthimi i pronave të konfiskuara ose kompensimi sipas vlerës reale të tregut.
Mbështetje shëndetësore dhe subvencione për të moshuarit.
Dëmshpërblim i plotë për çdo të mbijetuar brenda mandatit të parë.
“Këto nuk janë premtime elektorale. Janë një detyrim moral dhe kombëtar,” u shpreh Jupi, duke premtuar se, fjala do të kthehet në veprim, dhe drejtësia në realitet.