Baton Haxhiu është një nga analistët që paguhet nga oligarkët me paratë e tenderave dhe koncesioneve korruptivë. Madje ai thotë se oligarkët i kanë ofruar edhe vila falas.
Baton Haxhiu rezultoi se paguhej me një rrogë 18 mijë USD në muaj nga gjoja si agjent marketingu i Spitalit Amerikan, në një kohë kur analisti ishte këshilltar i kryeministrit Edi Rama.
Ndërkaq, në 9 maj 2024, analisti Baton Haxhiu, i maskuar me një kapele, hyri në SPAK. Një oficer i BKH-së e priti në hyrje dhe e shoqëroi për në ambientet e brendshme. Pas afro 2 orë z. Haxhiu doli nga SPAK-u. I pyetur nga media, ai tha se kishte qenë aty të intervistonte një prej hetuesve për një lëndë për të cilën u shpreh se nuk kishte të drejtë të fliste.
Dosja e SPAK për korrupsionin e Ilir Metës nxjerrë Baton Haxhiun zbuluar në mënyrë të trefishtë.
Së pari, Baton Haxhiu gënjeu publikisht pasi në SPAK nuk ka intervistuar njeri, por e kanë ‘intervistuar’ për rolin e tij në aferat e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe oligarkëve.
Së dyti, Baton Haxhiu është implikuar pasi rezulton pronar i vilës së Ilir Metës në Golem, të cilën Meta i kishte blerë Ilir Trebickës për 60 mijë USD dhe ia kishte shitur fiktivisht biznesmenit S. M., për 300 mijë euro. Më pas vila blihet nga Baton Haxhiu për 80 mijë euro.
Së treti, analisti Baton Haxhiu ka gënjyer hetuesit në SPAK për mënyrën se si u bë pronar i vilës së Ilir Metës, duke sajuar një alibi, ashtu siç gënjeu gazetarët dhe publikun pasi doli nga SPAK-u.
Dosja / Rrëfimi i Baton Haxhiut në SPAK
Në deklarimet e shtetasit Baton Haxhiu, rezulton se si kishte filluar të banonte në Qerret që në vitin 2002, kur kishte blerë një vilë rreth 40 m2 nga ndërtuesi Agim Shënedjela.
Te vila në fjalë ka jetuar deri në vitin 2008 kohë kur Ervina Balanca dhe bashkëshorti i saj për shkak të ndarjes, i kërkuan që ta blente ai vilën e tyre me sipërfaqe 109 m2, e cila ishte ndërtuar në pjesën e dytë të fshatit turistik. Apartamentin që kishte, Batoni deklaron se ia dha shtetases A. Gina dhe shtetases Ervina Balanca i dha një shtesë për 32.000 Eurosh ndërsa diferencën e likujdoi A. Gina. Për shkak të një ndërtimi që A. F. bëri në truallin e këndit të lojrave të fshatit turistik, banorët protestonin vazhdimisht ndaj këtij banori dhe në fshat u krijua një situatë e keqe. Në shenjë solidariteti me banorët, Eva Mane vendosi që të mos banonte në fshat dhe kjo zgjati për periudhën 2016-2019. Batoni deklaron se duke parë që S. M., nuk po jetonte më në vilën në Qerret e pyeti nëse do ta shiste.
Samiri iu përgjigj se vilën e shfrytëzonte djali i tij, Andi, dhe në momentin që djali do të vendoste të mos jetonte më, ai do tja falte vilën Batonit. Në vitin 2019, Samiri e njoftoi Batonin se do tja falte vilën në shenjë falenderimi për të gjithë ndihmën që i kishte dhënë në zgjidhjen e problemeve që biznesit të tij i kishin dalë në Kosovë dhe Maqedoni.
Batoni deklaroi se ai nuk pranoi që ta merrte vilën falas dhe i kërkoi Samirit që tja shiste me një çmim të përballueshëm. Samiri i kërkoi për vilën shumën 100.000 Euro dhe Batoni deklaroi se u dakordësua me çmimin.
I pyetur për dijenitë e tij se në cilin vit e kishte blerë S. M. vilën në fjalë, e kishte blerë vilën dhe sa ishte çmimi i blerjes, Baton Haxhiu deklaron se Samiri e bleu prej Ilir Metës, dhe vila ishte 2 katëshe me sipërfaqe reth 119 m2, dhe ishte e vetmja vilë që Agim Shënedjela e kishte përshtatur pak më intime për kryeministrin.
Blerja e vilës, sipas deklaruesit Baton Haxhiu, ka ndodhur në vitin 2007 ose vitin 2008, në kohën kur D. D. po përfundonte fshatin turistik në gjirin e Lalzit, lejen e ndërtimit të të cilit e kishte marrë kur Ilir Meta ka qenë Kryeministrër.
Në kujtesën e deklaruesit, Doda e kishte marrë lejen para se të ndodhte i ashtuquajturi “Katarsis” në Partinë Socialiste dhe çmimi i blerjes së apartamentit qarkullonte si thashethem se ishte rreth 300.000 Euro. Deklaruesi sqaroi se ai vetë nuk e ka diskutuar asnjëherë me Samirin shumën me të cilën ky i fundit e bleu apartamentin nga Ilir Metaj.
Nga hetimi i kryer krijohet dyshimi se Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi nuk kanë kryer shitje de jure të pasurisë apartament me vendndodhje ne fshatin Qerret si dhe nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë se shuma prej 300 mijë Euro i është likujduar realisht.
Në datën 21 Nëntor 2023 në zbatim të vendimit Nr. 469 datë 19 Nëntor 2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është bërë kontrolli i banesës së shtetases Fatime Kryemadhi dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, disa telefona celularë.
Nga ekspertimi kompjuterik i telefonit me nr. IMEI 013428000432516 i përdorur në periudhën kohore 2013-2014 nga Monika Kryemadhi, u evidentuan biseda të kryera nga Monika Kryemadhi me persona të ndryshëm.
Nga ekspertimi kompjuterik i telefonit me nr. IMEI 013428000432516, janë evidentuar disa biseda të zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe S. M. dhe Monika Kryemadhit dhe E. M. të cilat krijojnë dyshime se këta persona kanë hyrë në marrëdhënie korrupsioni me njëri-tjetrin./Prapaskena