Anila Ndoka (Prendushi) vijon të mbetet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndoka u qëllua me plumb në kokë nga bashkëjetuesi i saj, Kole Manaj, i cili u vetëvra pasi qëlloi partneren.
Mësohet se plumbi i ka prekur një pjesë të trurit, por Ndoka ia ka dalë të mbetet në jetë. 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për jetën e nënës së 3 fëmijëve.
Mësohet se Ndoka ka kërkuar të ndahet nga 34-vjeçari, por Manaj nuk e ka pranuar këtë fakt dhe disa herë kishte kërcënuar se do të merrte një veprim ekstrem ndaj vetes nëse ajo ndahej me të.
44-vjeçarja ka qenë e bindur në vendimin e saj për t’i dhënë fund kësaj marrëdhënieje, për arsye që familjarët nuk i dinë. Ditën e ngjarjes, Manaj ka njoftuar një nga motrat e tij se do t’i jepte fund jetës, e mësohet se po ashtu ka sinjalizuar edhe bashkëjetuesen.
Ndoka, sapo ka marrë mesazhin, ka shkuar ta takojë nga vendi i saj i punës, brenda automjetit ku çifti, siç duket, ka shkëmbyer një bisedë me tone të ashpra.
Manaj ka qëlluar në drejtim të 44-vjeçares me një plumb në kokë, e më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij.